Përmendet demarkacioni, heshtet korrupsioni

08:42 | 9 Shtator 2016
M. A.

Zyrtarët e lartë shtetërorë e përmendin demarkacionin e kufirit me Malin e Zi si kusht për liberalizimin e vizave për Kosovën, por jo edhe luftimin e korrupsionit të profilit të lartë. Me aktakuza të ngritura janë disa bashkëpunëtorë të kryeministrit Mustafa dhe disa zyrtarë të lartë të partnerit qeverisës (PDK)

Subjektet politike vazhdojnë t’i mbajnë në pushtet zyrtarët e lartë shtetërorë, të cilët tash e një kohë janë nën hetime ose kanë aktakuza të ngritura nën dyshimet për krim të organizuar e korrupsion. E gjithë kjo në kundërshtim me kërkesën e zëvendëspresidentit amerikan Joe Biden, i cili gjatë vizitës së tij të fundit në Kosovë tha se Kosova nuk ka mundësi të ecë përpara pa e luftuar korrupsionin.

“Shpresoj ta kemi një Kosovë të fortë, demokratike dhe si anëtare të plotë të BE-së pa korrupsion”, tha Biden. Po ashtu kriter i BE-së për liberalizimin e vizave për Kosovën, përpos demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, është edhe luftimi i korrupsionit të profilit të lartë. Ndonëse drejtuesit e koalicionit qeverisës vazhdimisht kanë thënë se personat që kanë probleme me ligjin nuk do të qëndrojnë në institucionet e Kosovës, disa zyrtarët të lartë ende vazhdojnë të mbajnë poste të larta në institucionet e vendit, shkruan Zëri/ Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale