Hoxha takim me homologun grek: Kapitull i ri në marrëdhëniet dypalëshe

18:20 | 22 Prill 2026
E.G

Në margjinat e Forumit Ekonomik të Delfit, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Ferit Hoxha, zhvilloi një takim me Ministrin e Jashtëm të Greqisë, George Gerapetritis, ku u riafirmua angazhimi i përbashkët për të forcuar marrëdhëniet mes dy vendeve.

Takimi vjen pas bisedimeve të mbajtura më herët në Athinë midis Kryeministrave të Shqipërisë dhe Greqisë, duke shënuar një hap të ri drejt bashkëpunimit strategjik.

Në një reagim në platformën X, Hoxha bëri të ditur se takimi u zhvillua në vijim të komunikimit të nivelit të lartë mes dy vendeve, përfshirë edhe takimin e mëhershëm gjatë ditës në Athinë mes kryeministrave.

Ministri Hoxha theksoi se palët kanë rënë dakord të krijojnë ekipe të dedikuara për adresimin e çështjeve të pazgjidhura, me synimin për të gjetur zgjidhje të balancuara dhe të qëndrueshme në interes të qytetarëve të të dy vendeve.

“Çlirimi i potencialit të plotë të partneritetit tonë është një investim i drejtpërdrejtë në miqësinë dhe bashkëpunimin dypalësh, por edhe në stabilitetin dhe prosperitetin e rajonit,” u shpreh Hoxha.

Në fokus të bisedimeve ishte intensifikimi i dialogut politik dhe zgjerimi i bashkëpunimit ekonomik, veçanërisht në fushat e energjisë, infrastrukturës dhe turizmit.

Palët u angazhuan gjithashtu për të promovuar ndërlidhshmëri më të madhe dhe shkëmbime mes qytetarëve, duke e parë këtë si një bazë të fortë për fqinjësi të mirë dhe partneritet afatgjatë.

Ministri shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Greqisë në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, si dhe për avokimin e saj të zgjerimit në Ballkanin Perëndimor.

Ai vlerësoi angazhimin e Athinës për të punuar ngushtë me presidencat e ardhshme të BE-së të Irlandës dhe Lituanisë, në mënyrë që zgjerimi të mbetet një prioritet kyç i agjendës evropiane.

Takimi u përmbyll me mirëseardhjen e Deklaratës së Delfit, e miratuar mëngjesin e sotëm, e cila përfaqëson një angazhim të ripërtërirë për ta shndërruar premtimin e Selanikut në një rezultat konkret.

“Orakulli i Apollonit duhet të ketë qenë duke dëgjuar,” shkroi Hoxha në postimin e tij në X, duke nënvizuar rëndësinë historike dhe simbolike të këtij momenti.