Emërimi i anëtarit të fundit në KQZ, Haxhiu ende pa vendim

15:33 | 22 Prill 2026
A Z

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu ende nuk e ka marrë vendimin për emërimin e anëtarit të fundit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Afati i fundit për emërimin e këtij anëtari ka qenë 11 prilli, derisa Lëvizja Vetëvendosje pretendon ta ketë anëtarin e tretë, kurse PDK-ja të dytin, por që as ish-presidentja Vjosa Osmani, e as tash Haxhiu ende nuk kanë vendosur për këtë çështje.

Haxhiu ka thënë se ky proces është dashur të përmbyllet nga ish-presidentja Osmani, duke shtuar se do të veprohet në përputhje me përgjegjësitë.

“Në raport me këtë çështje, janë tejkaluar të gjitha afatet, mendoj që ka qenë një proces kushtetues që është dashur të përmbyllet nga Presidentja Vjosa Osmani-Sadriu. Do të veprohet në përputhje me përgjegjësitë. Unë kam thënë që proporcionaliteti, përfaqësimi dhe fuqia politike nuk mund të shkelen. Nuk mund unë që ta mohoj vullnetin e qytetarëve, nuk mund që ta shtyp atë, ose që me një vendim timin të veproj në kundërshtim”, ka thënë Haxhiu.