Komandantin e KFOR-it, Gjeneral Major Ozkan Ulutash thekson se situata e sigurisë në Kosovë aktualisht është stabile. Ai tha se në mandatin e tij të parë në krye të misionit të KFOR-it ndodhi menjëherë pas incidenteve serioze të sigurisë që u shënuan në veri të Kosovës në vitin 2023 dhe rritjes së mëvonshme të pranisë së KFOR-it në terren.
“Nuk kemi parë përsëritje të të njëjtit nivel të dhunës. Por ne mbetemi vigjilentë dhe të përgatitur mirë. KFOR-i vazhdon të monitorojë situatën në mbarë Kosovën për të siguruar ruajtjen e një mjedisi të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në përputhje me mandatin tonë afatgjatë, të bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999”, citohet Ulutash në njoftimin e KFOR-it të ketë thënë për TV Most.
Ai po ashtu ka thënë se situata e sigurisë në veri të Kosovës gjithashtu është aktualisht e qetë. Megjithatë, sipas tij, nuk është plotësisht e qëndrueshme.
“Nga këndvështrimi ynë, procesi i tranzicionit nga kryetarët e komunave që po largohen tek ata që po vijnë është zhvilluar në mënyrë të qetë. KFOR-i vazhdon të luajë rolin e tij, duke ofruar një kornizë sigurie dhe hapësirë që dialogu politik të ecë përpara. Kjo është thelbësore për arritjen e zgjidhjeve të qëndrueshme që i sjellin përfitim të gjitha komuniteteve. Rruga drejt stabilitetit afatgjatë është politike. Stabiliteti në Kosovë dhe në rajon varet nga fakti nëse palët zgjedhin diplomacinë në vend të dhunës”, tha ai.
Sipas tij, KFOR-i vazhdon të zbatojë plotësisht dhe në mënyrë të paanshme mandatin e tij të OKB-së për të siguruar një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit në Kosovë, përfshirë komunitetin serb.
Ai tha se ky është gjithmonë fokusi i tyre.
“Angazhimi ynë ndaj misionit është i palëkundur. Në përgjigje të dhunës së pajustifikuar të vitit 2023, ne kemi rritur numrin e aktiviteteve dhe patrullave në veri të Kosovës. Kemi një prani të rregullt atje dhe mbajmë kontakte me të gjithë bashkëbiseduesit tanë për të siguruar shkëmbim të shpejtë informacioni dhe transparencë të ndërsjellë. Në përgjithësi, kemi një prani të dukshme dhe fleksibile në të gjithë Kosovën”, tha ai.
Sipas tij, NATO vazhdon të mbështesë fuqishëm Dialogun e lehtësuar nga BE-ja si kornizën e vetme për zgjidhjen e çështjeve të mbetura dhe arritjen e marrëveshjeve që respektojnë të drejtat e të gjithë njerëzve. Ndërsa KFOR-i jep kontribut të rëndësishëm ushtarak për të mbajtur një mjedis të sigurt, rruga drejt stabilitetit afatgjatë është në fund të fundit politike. Është thelbësore që si Beogradi ashtu edhe Prishtina të angazhohen me mirëbesim dhe të zbatojnë marrëveshjet ekzistuese. NATO vazhdon të mbështesë fuqishëm Dialogun e udhëhequr nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, dhe KFOR-i do të vazhdojë të japë kontributin e tij në këtë proces të rëndësishëm. Në të njëjtën kohë, është me rëndësi që të dyja palët të angazhohen plotësisht dhe në mënyrë konstruktive në këtë kuadër.
“Sa i përket pranisë së bazave të policisë me pika vëzhgimi përgjatë rrugëve kryesore në veri të Kosovës, ne e monitorojmë situatën vazhdimisht dhe mbajmë komunikim të rregullt me të gjithë bashkëbiseduesit për të shmangur keqkuptimet. Kjo përfshin përfaqësues të institucioneve të sigurisë në Kosovë dhe të Forcave të Armatosura të Serbisë. KFOR-i është i pozicionuar mirë për t’u përgjigjur çdo zhvillimi që mund të rrezikojë sigurinë lokale. Ne veprojmë në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe misionin e BE-së për sundimin e ligjit (EULEX), në rolet e tyre përkatëse si përgjegjës për sigurinë. Transparenca dhe koordinimi i ngushtë janë me rëndësi të madhe për ne”, tha ai.
KFOR-i vazhdon të përmbushë mandatin e tij afatgjatë të OKB-së, të bazuar në Rezolutën 1244 të vitit 1999, në mënyrë të paanshme dhe në çdo kohë.
“Sa i përket FSK-së, që nga viti 2016, Ekipi Këshillues dhe Ndërlidhës i NATO-s – i cili është i ndarë nga KFOR-i – ka mbështetur zhvillimin e saj nën mandatin e saj fillestar civil të mbrojtjes përmes ndërtimit të kapaciteteve dhe trajnimeve. Vendimet për prokurime ushtarake ose marrëveshje bashkëpunimi dypalëshe janë rezultat i marrëveshjeve ndërmjet institucioneve në Kosovë dhe vendeve individuale; këto çështje nuk bien në mandatin e KFOR-it”, tha ai.
“Nga këndvështrimi i përgjithshëm i sigurisë, KFOR-i ende ka prani të vazhdueshme në Manastirin e Deçanit të Shenjtë, i cili është pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Ky është i vetmi vend fetar ortodoks në Kosovë, siguria e të cilit ende nuk i është dorëzuar Policisë së Kosovës. Në përgjithësi, forcat tona janë të dislokuara në mënyrë fleksibile në të gjithë Kosovën. Patrullat dhe pikat tona të vëzhgimit janë të vendosura në mënyrë strategjike për të siguruar sigurinë e të gjithë njerëzve, përfshirë komunitetin serb. Ne jemi gjithmonë të gatshëm të përshtasim pozicionin tonë sipas nevojës për të vazhduar zbatimin e plotë të mandatit tonë të OKB-së”, ka thënë Ulutash mes tjerash.
Haziri: Oferta e Kurtit ishte votoni Glaukun, hyni në Qeveri
“Pak magji”, Klodi tregon se po kalon kohë në Shqipëri
Shtëpia e Bardhë: SHBA s’i ka dhënë afat Iranit që të përgji...
Pezullohet tarifa 234 euro për kyçje në ujë, lehtësohen bizn...
Deklarata shokuese në parlament, sqarohet Fatos Geci: Mjaft ...
Sot, para 27 vjetësh, Amerika dha sinjalin e parë se Kosova ...