Një grup kongresistësh dhe senatorësh amerikanë i kanë dërguar një letër Sekretarit Amerikan të Shtetit, Marco Rubio, ku kanë shprehur shqetësimin mbi raportimet se administrata e Presidentit Donald Trump mund të reduktojë praninë e trupave amerikane në misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.
Përmes letrës që mban datën 11 mars, ata paralajmërojnë se një tërheqje e parakohshme e forcave amerikane mund të rrezikojë stabilitetin jo vetëm në Kosovë, por në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Ata po ashtu shkruajnë në letrën drejtuar Rubios se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë mbështetësi kryesor i KFOR-it brenda kuadrit të NATO-s dhe kanë forcuar kapacitetet e sigurisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës, veçanërisht përmes Programit të Partneritetit Shtetëror me Gardën Kombëtare të shtetit të Iowas.
Prania amerikane në KFOR, thonë ata, ka qenë një faktor kyç parandalues që nga viti 1999 dhe vazhdon të luajë rol të rëndësishëm në ruajtjen e paqes mes Kosovës dhe Serbisë.
Kongresistët dhe senatorët theksojnë se edhe pse kontingjenti amerikan është relativisht i vogël, ndikimi i tij është thelbësor për stabilitetin e rajonit dhe për mesazhin strategjik ndaj aleatëve dhe aktorëve që mund të tentojnë destabilizim.
Nënshkrues të kësaj letre janë: Michael R. Turner – Anëtar i Kongresit; Brendan F. Boyle – Anëtar i Kongresit; Gregory W. Meeks – Kryetar i Grupit Demokrat në Komisionin e Marrëdhënieve me Jashtë; Rick Larsen – Anëtar i Kongresit; Jeanne Shaheen – Senatore; Charles Grassley – Senator; Thom Tillis – Senator; Roger Wicker – Senator; Ann Wagner – Anëtare e Kongresit; Chris Van Hollen – Senator; Joni Ernst – Senatore; dhe Peter Welch – Senator.
Kjo është letra e plotë:
I nderuari z. Sekretar,
Po ju shkruajmë në cilësinë tuaj si këshilltar për sigurinë kombëtare dhe Sekretar i Shtetit për të shprehur shqetësimin tonë të thellë lidhur me raportimet se Administrata Trump mund të tërheqë një pjesë të forcave amerikane nga misioni i udhëhequr nga NATO, Forca e Kosovës (KFOR), në Kosovë. Në një kohë të brishtësisë së shtuar politike dhe të rritjes së ndikimit keqdashës në Ballkanin Perëndimor, një reduktim i parakohshëm i pranisë amerikane rrezikon të destabilizojë jo vetëm Kosovën, por edhe rajonin më të gjerë, veçanërisht Bosnjë dhe Hercegovinën. Ju bëjmë thirrje të ruani nivelin e forcave amerikane për të mbrojtur interesat e sigurisë kombëtare të ShBA-së në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Që nga themelimi i saj në vitin 1999 përmes Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Forca e Kosovës (KFOR) ka ruajtur paqen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe së fundmi ka shërbyer si një pengesë kritike kundër rikthimit të dhunës etnike dhe ndërhyrjeve të jashtme. Që nga fillimi, Shtetet e Bashkuara kanë qenë mbështetëse të KFOR-it brenda kornizës së NATO-s dhe kanë forcuar kapacitetet e sigurisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës, veçanërisht përmes Programit të Partneritetit Shtetëror me Gardën Kombëtare të Iowas. Shtetet e Bashkuara ofrojnë deri në 500 personel ushtarak në kuadër të forcës së përgjithshme paqeruajtëse prej rreth 5000 personeli ushtarak – një prani e vogël me ndikim të madh. Pranohet gjerësisht se kontributi i ShBA-së është shtylla kurrizore e parandalimit për KFOR-in, duke ofruar sinjalizim strategjik për aleatët dhe partnerët dhe duke dekurajuar përshkallëzimin e mundshëm nga aktorë në Serbi ose Kosovë.
Çdo reduktim i personelit ushtarak amerikan mund të ketë pasoja të konsiderueshme jo vetëm për kapacitetet operacionale të forcës paqeruajtëse, por edhe të dobësojë rolin e KFOR-it si pengesë politike në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Kosovë. Tensionet ndërmjet komuniteteve etnike serbe në veri të Kosovës vazhdojnë mes veprimeve të vazhdueshme nga qeveria qendrore e Kosovës që vazhdojnë të përkeqësojnë situatën në komunitete. Duke qenë se nuk ka përparim domethënës në Dialogun Beograd-Prishtinë, një reduktim i trupave do të hiqte një mjet presioni që mund të detyronte rikthimin në negociata. Për më tepër, një prani e reduktuar amerikane mund të inkurajojë aktorë që e shohin tërheqjen e Perëndimit si një mundësi për të nxitur trazira.
Pasojat për Bosnjë dhe Hercegovinën janë veçanërisht shqetësuese, duke qenë se KFOR është forcë rezervë për të mbështetur Forcën e Bashkimit Evropian (EUFOR) Althea në reagimin ndaj çdo përshkallëzimi të mundshëm në Bosnjë dhe Hercegovinë. Në muajt e fundit, udhëheqësi i entitetit Republika Sërpska brenda Bosnjë dhe Hercegovinës, Millorad Dodik, ka vazhduar retorikën e tij separatiste dhe pengimin institucional, pavarësisht vendimit të Administratës Trump më 29 tetor për të hequr sanksionet ndaj Dodikut dhe bashkëpunëtorëve të tij. Në fakt, që nga heqja e sanksioneve, z. Dodik ka pretenduar në mënyrë të rreme se ai ishte ende presidenti i ligjshëm i RS-së, ka vënë në pikëpyetje nëse Bosnjë dhe Hercegovina duhet të vazhdojë të ekzistojë dhe, së fundmi më 30 janar, ka vazhduar thirrjet e tij për një front të bashkuar për të nisur largimin nga Marrëveshja e Paqes e Dejtonit.
Në këtë sfond të retorikës në përshkallëzim, edhe perceptimi i një tërheqjeje amerikane nga KFOR-i mund të inkurajojë agjendat nacionaliste të aktorëve në Kosovë dhe Serbi, por edhe ambiciet separatiste të liderëve në Republika Sërpska, duke minuar kohezionin shtetëror në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe duke rritur rrezikun e një krize politike ose të sigurisë.
Për më tepër, Rusia ka kërkuar vazhdimisht të shfrytëzojë përçarjet në Ballkanin Perëndimor dhe të dobësojë mbështetjen e NATO-s dhe BE-së në rajon. Në prill 2024, Komandanti Suprem i Forcave Aleate në Evropë, Christopher Cavoli, dëshmoi para Kongresit se Rusia po nxit në mënyrë aktive tensione ndërmjet grupeve etnike për të minuar integritetin territorial të Bosnjës, gjë që ndikoi në vendimin e tij për të rritur dhe forcuar KFOR-in në numra dhe për të sjellë më shumë pajisje ushtarake. Për më tepër, Rusia ka bllokuar në mënyrë aktive njohjen e pavarësisë së Kosovës. Duke qenë se informacionet e fundit nga inteligjenca tregojnë se nuk ka ndryshim në ndikimin keqdashës rus në rajon, ne nuk duhet të reduktojmë trupat amerikane dhe të lëmë më shumë hapësirë për aktivitet rus.
Ne kërkojmë me respekt sqarim mbi vlerësimin e Departamentit për implikimet e sigurisë rajonale të këtij reduktimi, veçanërisht në lidhje me efektet dytësore në Bosnjë dhe Hercegovinë. Në veçanti, kërkojmë qartësi mbi procesin e vendimmarrjes dhe nëse ky vendim po merret si pjesë e rishikimit të pozicionimit të forcave nga Administrata Trump. Për më tepër, i bëjmë thirrje Departamentit të koordinohet ngushtë me Kongresin përpara zbatimit të reduktimeve të mëtejshme të forcave që mund të kenë pasoja të rëndësishme gjeopolitike.
Si Këshilltar për Sigurinë Kombëtare i Presidentit Trump, ju jeni përgjegjës për mbrojtjen e interesave të sigurisë kombëtare të ShBA-së; në këtë situatë ju kërkojmë të siguroni që çdo shqyrtim për ndryshim të pozicionimit të forcave amerikane në Kosovë të trajtohet përmes një procesi ndërinstitucional nën udhëheqjen tuaj. Si anëtarë që e kemi kushtuar një sasi të konsiderueshme të kohës për Ballkanin Perëndimor, mirëpresim mundësinë për të biseduar me ju për ta diskutuar këtë çështje në më shumë hollësi.

Parashikimi i motit për të premten
“Askush nuk e tradhtoi Alonson”, ylli i Real Madridit mohon ...
Franca: Nuk planifikojmë të dërgojmë anije në Ngushticën e H...
Basha: Kurti i ofroi Osmanit postin e zëvendëskryeministres ...
Deliu-Kodra: PDK-ja nuk ka dashur zgjedhje të reja, përgjegj...
Basha kritikon PDK-në: Nuk propozoi asnjë emër të vetëm për ...