Mesfushori i Real Madrid, Federico Valverde, ishte protagonisti absolut në ndeshjen e parë të 1/8 së finales në UEFA Champions League kundër Manchester City. Futbollisti uruguaian realizoi një hat-trick dhe udhëhoqi madrilenët drejt një fitoreje të madhe, duke e afruar shumë ekipin me çerekfinalen.
Me këtë paraqitje, Valverde emuloi performancën e Kylian Mbappé në këtë fazë të kompeticionit dhe u shpall lojtari më i mirë i ndeshjeve të para të 1/8 së finales.
Pas ndeshjes në Santiago Bernabéu, ai nuk e fshehu emocionin për një mbrëmje që e cilësoi të paharrueshme.
“Është e pabesueshme. Çdo futbollist ëndërron netë të tilla. Dua t’i falënderoj shokët e skuadrës për besimin që më japin, stafin teknik dhe tifozët që na mbështesin në një sezon të vështirë.”
Valverde pranoi se kjo ishte një nga performancat më të mira të karrierës së tij.
“Ka qenë një nga ndeshjet më të mira të karrierës sime. E shijova shumë lojën sot, kishte kohë që nuk e shijoja një ndeshje në këtë mënyrë.”
Sipas uruguaianit, skuadra e Madridit ishte më e mirë gjatë pjesës më të madhe të takimit, përjashtuar minutat e para kur Jérémy Doku krijoi disa rrezikshmëri për ekipin anglez.
Ai zbuloi se skuadra ishte përgatitur mirë për presionin e Cityt dhe për mënyrën si ata mbrojnë në daljen nga porta.
“E kishim stërvitur shumë situatën kur ne nxjerrim topin nga porta, sepse ata bëjnë presion njeri me njeri. Kishte hapësira dhe ne jemi të shpejtë, kështu që funksionoi shumë mirë.”
Valverde shtoi se trajneri Álvaro Arbeloa i kërkon shpesh të futet në zonë nga linja e dytë dhe të sulmojë më shumë.
“Të arrij në zonë është pikërisht ajo që më kërkon trajneri – të sulmoj nga linja e dytë. Sot kishim më shumë lojtarë për të mbajtur topin dhe unë u përpoqa të futesha sa më shpesh në sulm.”
Në fund, Valverde theksoi rëndësinë e unitetit në ekip.
“Duhet të sillemi me njëri-tjetrin si vëllezër dhe të mbrojmë shpinën e njëri-tjetrit. U pa qartë që grupi është i bashkuar dhe kështu mund të luftojmë për gjëra të mëdha.”
Megjithatë, mesfushori paralajmëroi se asgjë nuk ka përfunduar ende, pasi ndeshja e kthimit në stadiumin Etihad Stadium do të jetë shumë e vështirë.
“E dimë që ndeshjet në Manchester janë shumë të komplikuara. Duhet të shkojmë atje sikur rezultati të jetë 0-0.”
Ndeshja e ardhshme luhet të martën në ‘Etihad Stadium’./Arbresh.info
Dogana sekuestron 44 pako cigare pa banderola në vlerë 15 mi...
Arbeloa për Mendyn: I jam mirënjohës për përpjekjen e tij, s...
Çfarë parashihet me strategjinë e miratuar për zgjerim të BE...
Me sa vite burg dhe sa euro mund të dënohet Gjesti për vepra...
Abdixhiku paralajmëron rikthimin e Osmanit: Koha për bashkim...
Kryetari i Prizrenit: Komunat ende nuk e kanë në dispozicion...