Fundoset në Mesdhe një tanker rus me gaz natyror, Moska akuzon Ukrainën

16:08 | 5 Mars 2026
Q L

Një tanker rus që transportonte gaz natyror të lëngshëm (LNG) është fundosur në Detin Mesdhe, mes Libisë dhe Maltës, pas shpërthimeve dhe një zjarri që shpërtheu në bord.

Autoritetet portuale libiane kanë bërë të ditur se anija transportonte rreth 62 mijë tonë gaz natyror të lëngshëm dhe është fundosur rreth 130 milje detare në veri të portit libian të Sirtes.

Moska ka akuzuar Ukrainën se tankeri u shënjestrua nga dronë detarë pa pilot të lëshuar nga brigjet e Libisë. Shërbimi ukrainas i sigurisë SBU nuk ka komentuar lidhur me këto pretendime.

Sipas Ministrisë ruse të Transportit, në bord ndodheshin 30 shtetas rusë. Ministri i Brendshëm i Maltës, Byron Camilleri, deklaroi se të gjithë anëtarët e ekuipazhit janë gjetur shëndosh e mirë në një varkë shpëtimi.

Presidenti rus Vladimir Putin e quajti incidentin “një akt terrorist”, ndërsa Ministria ruse e Transportit e përshkroi si “terrorizëm ndërkombëtar dhe pirateri detare”, duke akuzuar edhe Bashkimin Evropian për bashkëfajësi.

Sipas Moskës, anija ishte nisur nga porti verior rus i Murmanskut drejt Port Saidit në Egjipt dhe po lundronte në përputhje me rregullat ndërkombëtare të transportit detar.

Shpërndaje në rrjete sociale