Nënat e Srebrenicës: Serbia kreu gjenocid, tash dëshiron ta barazojë fajin

09:38 | 9 Shkurt 2016
Arbresh.info

Gjatë javës së kaluar, shoqatat e veteranëve dhe viktimave boshnjake kanë bërë disa deklarata duke pretenduar se ka pasur përpjekje për të manipuluar dëshmitarët për të dëshmuar kundër ish-trupave të Ushtrisë Boshnjake.

Presidentja e shoqatës Nënat e Srebrenicës Hatidza Mehmedoviç pretendoi se ka pasur përpjekje për të ndikuar te dëshmitarët në çështjet kundër ish-gjeneralit të Ushtrisë Boshnjake Naser Oriç, i cili pritet të dalë në gjyq për krime kundër serbëve në Srebrenicë në vitin 1992.

“Ka pasur përpjekje për të korruptuar dhe ndikuar dëshmitarët që nuk kanë asnjë informacione. Ne jemi të hidhëruar, viktimat po ashtu, sepse e gjithë kjo po bëhet për të barazuar fajin midis anës serbe, e cila kreu gjenocid, dhe Ushtrisë Boshnjake,” tha Mehmedoviç për Birn. Ajo shtoi se grupet e viktimave shpresonin që SIPA dhe prokuroria boshnjake do t’i hetonin këto pretendime.

Të enjten e javës së kaluar, Unioni i ish-Gjeneralëve të Ushtrisë Boshnjake pati një takim me politikanë kryesorë boshnjakë, përfshirë edhe anëtarin boshnjak të presidencës Bakir Izetbegoviç, për të diskutuar këto pretendime.

Izetbegoviç tha për mediat lokale se ai besonte se presion mbi dëshmitarët kishte pasur edhe në shumë aktakuza të tjera. Ai u shpreh gjithashtu se kjo ishte “një përpjekje për të barazuar fajin midis serbëve dhe boshnjakëve”.

Shpërndaje në rrjete sociale