Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan ka prezantuar sot raportin vjetor të punës për vitin 2025, duke evidentuar rezultate pozitive në fushën e sigurisë së përgjithshme dhe asaj rrugore.
Raporti u prezantua më 6 shkurt 2026 nga Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjilan, kolonel Agron Rukiqi, në prani të Drejtorit të Drejtorisë për Operacione, nënkolonel Arbnesh Ajvazi, si dhe përfaqësuesve të institucioneve lokale, komunave, drejtësisë, sigurisë, bashkësive fetare dhe komunitetit.
Sipas kolonel Rukiqit, viti 2025 është karakterizuar me përmirësim të ndjeshëm të gjendjes së sigurisë në rajonin e Gjilanit.
“Statistikat tregojnë një rënie të numrit të përgjithshëm të rasteve për 4.17 për qind, ndërsa veprat penale kanë shënuar rënie për 10.8 për qind, përfshirë edhe veprat penale më serioze,” tha Rukiqi gjatë prezantimit të raportit.
Ai theksoi se Policia ka intensifikuar aktivitetet preventive, ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike, si dhe luftimin e dukurive negative, përfshirë arrestimin e personave të kërkuar në bashkëpunim të ngushtë me institucionet e drejtësisë.
Në fushën e sigurisë në komunikacion, raporti evidenton ulje të aksidenteve me fatalitet për 28.6 për qind.
“Kjo rënie është rezultat i rritjes së aktiviteteve policore në trafik, shtimit të kontrolleve dhe aplikimit të masave ndëshkuese, me qëllim të rritjes së sigurisë rrugore,” u shpreh Rukiqi.
Një vëmendje e veçantë, sipas tij, i është kushtuar avancimit të qasjes policore “Policimi në Bashkësi”, forcimit të partneritetit me komunitetin, rritjes së sigurisë në shkolla dhe transparencës me media dhe publikun.
Raporti përfshiu edhe të dhëna mbi cilësinë e shërbimeve policore, përfshirë kohën e reagimit ndaj rasteve, e cila monitorohet në baza ditore dhe mujore.
Ndërkaq, Drejtori i Drejtorisë për Operacione, nënkolonel Arbnesh Ajvazi, vlerësoi lart punën e Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjilan.
“Angazhimi dhe përkushtimi i menaxhmentit dhe i të gjithë pjesëtarëve policorë ka dhënë rezultate konkrete. Këto të arritura janë dëshmi e profesionalizmit dhe bashkëpunimit të mirë ndërinstitucional dhe me komunitetin,” theksoi Ajvazi.
Në mbyllje të prezantimit, u ritheksua përkushtimi i Policisë Rajonale në Gjilan për të vazhduar ofrimin e shërbimeve profesionale, transparente dhe në interes të sigurisë së qytetarëve.
Inteligjenca Artificiale ndihmon në identifikimin e gjurmëve...
Ja si ndikon pirja e ujit në tensionin e gjakut
Si ndihmon vitamina E në lëkurë dhe flokë?
Hapja e Lojërave Olimpike Dimërore, Rama: Flamuri kuqezi val...
Kosova parakalon në ceremoninë hapëse të Lojërave Olimpike D...
Koreja e Veriut ekzekuton ata që shikojnë Squid Game