Zbulohen keqpërdorime me pesticide, institucionet nisin inspektim gjithëpërfshirës

19:05 | 6 Shkurt 2026
Q L

Institucionet përgjegjëse të Kosovës kanë nisur një inspektim të përbashkët lidhur me importimin, tregtimin dhe përdorimin e kimikateve, biocideve dhe pesticideve, me qëllim mbrojtjen e shëndetit publik, sigurinë ushqimore, kafshët dhe mjedisin.

Këtë e ka bërë të ditur Ud i ministrit në detyrë të Mjedisit, Hysen Durmishi, duke theksuar se inspektimi po realizohet në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZhR) si dhe Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT).

Sipas tij, pas informatave të pranuara nga MBPZHR, është konstatuar se disa operatorë kanë keqpërdorur sistemin e regjistrimit, duke paraqitur pesticide si biocide, përfshirë edhe substanca të ndaluara nga direktivat ndërkombëtare.

“Për këtë arsye, institucionet kanë ndërmarrë masa konkrete dhe të pakthyeshme, në përputhje me standardet evropiane”, ka shkruar ai në Facebook.

Ai ka njoftuar se deri më tani është inicuar audimi i brendshëm për mbi 100 lëndë, është ndaluar importi, shpërndarja dhe përdorimi i substancave të rrezikshme, janë forcuar inspektimet në terren, janë ndërmarrë masa ndëshkuese ndaj çdo shkelësi, pa dallim, është rritur koordinimi ndërinstitucional për zbatim të plotë të ligjit, janë krijuar grupe punuese për formulimin e akteve dhe rregulloreve të reja, janë shfuqizuar vendime të lejeve për import, që kanë qenë në kundërshtim me ligjin si dhe është konfiskuar një sasi e konsiderueshme e kimikateve, duke pamundësuar daljen e tyre në treg.

“Si Ministër i MMPHI-së dhe si Qeveri, kemi politikë me zero tolerancë ndaj çdo veprimi që cenon shëndetin e qytetarëve dhe mjedisin. Jeta dhe shëndeti publik janë mbi çdo interes tjetër. Prandaj, ftojmë institucionet e rendit dhe drejtësisë që të veprojnë me prioritet dhe seriozitet të plotë. Institucionet tona janë të gatshme për bashkëpunim të plotë, në mënyrë që ligji të zbatohet pa përjashtime dhe pa ndikime.Mesazhi është i qartë: askush nuk është mbi ligjin dhe asnjë praktikë që rrezikon njerëzit, kafshët apo mjedisin nuk do të tolerohet.”, ka shkruar ai.