Familjarët e konfirmojnë, “Monstra” e para në listën e Prokurores Speciale

20:38 | 8 Shkurt 2016
Arbresh.info

Goran Nakevski, babai i Aleksandar Nakevski, djaloshit të vrarë në Liqenin e Smilkovës, konfirmon se Prokuroria Speciale Publike i ka ftuar dhe është takuar me ta. I pyetur nga TV21, Nakevski thotë se ata kanë qenë të kontaktuar, disa ditë pas intervistës së tij të dhënë për emisionin “10 Minuta”.

Ai atëherë pati deklaruar se partitë kryesore politike po përpiqeshin ta bllokojnë procesin:

“Ne duam që prokurorja speciale ta marrë përsipër këtë rast, mirëpo ne kemi disa informata që të 3 partitë politike janë marrë vesh për këtë rast. Ne kërkojmë edhe nga opinioni publik që të insistojë që prokurorja ta shqyrtojë këtë rast. Të zbardhet rasti, të na pushojnë dhimbjet neve dhe opinionit të gjerë publik në Maqedoni”.
Gazetari : Çka nëse prokurorja speciale nuk e merr përsipër rastin ?
Biseduesi: Atëherë kjo do të jetë provë se LSDM, VMRO-DPMNE dhe BDI janë dakorduar që të mos preket rasti ynë.”

Nakevski thotë se kanë marrë premtim që rasti “Monstra” do të jetë i pari në listën e hetimit të Prokurores Speciale. Ai thotë se takimi është mbajtur një muaj e gjysmë më parë, kurse të njëjtën gjë e konfirmon edhe Bedri Hajdari, familjar i të dënuarve, si dhe anëtar i këshillit organizativ për rastin “Monstra”.

“Ne kemi qenë te Prokuroria speciale; Unë si familjar dhe anëtar i Këshillit organizativ për rastin “Monstra” dhe avokatët mbrojtës, kemi qenë me ftesën e tyre. E inkurajoj prokuroren që të bëjë hetimin, por njëkohësisht e kisha lutë që ta përshpejtojë procedurën, më e drejtë do të kishte qenë që t’i lirojë të burgosurit dhe pastaj hetimin ta vazhdojë aq sa ka nevojë deri te zbardhja e rastit”, tha ai.

Bedri Hajdari është i sigurt se e vërteta do të dalë në shesh, ndërsa thotë se tashmë ai ka marrë edhe disa informata të reja se ekzistojnë edhe prova të cilat më në fund, do ta dëshmojnë pafajësinë e familjarëve të tij.

Për këtë rast u dënuan me burgim të përjetshëm Afrim Ismailoviq, Alil Demiri, Agim Ismailoviq, Fejzi Aziri dhe Sami Luta, për veprën penale “terrorizëm”, ndërsa Haki Aziri si ndihmës në veprën penale “terrorizëm”.

https://www.youtube.com/watch?v=Sj5XI6sIebY

Shpërndaje në rrjete sociale