Ja ç’rregullimet e personalitetit të Millosheviçit

09:50 | 7 Shkurt 2016
Arbresh.info

Slobodan MillosheviJ ishte një njeri që kishte probleme të shumta në ç’rregullimin e tij psikologjik.

Në tekstin më poshtë mund të lexoni pjesë ku dëshmohet ç’rregullsia e tij psikologjike.

Për të qenë një njeri i cili kishte grumbulluar kaq shumë pushtet, Sllobodan Milosheviq për çudi ishte një njeri i cili nuk i pëlqente të përfitonte prej tij. Ai kryesisht bënte një jetë private. Shumë rrallë jepte intervista dhe në daljet e rralla në publik dukej i ftohtë dhe i largët. Shumë njerëz e kujtojnë atë si një aparatçik komunist i cili fliste me fraza të gatshme përpara kamerave.

Një Milosheviq tepër i ndryshëm shfaqet nga transkriptet e botuara të bisedave të përgjuara nga shërbimet sekrete kroate në vitet ’90 të shekullit të kaluar. Këto e tregojnë Milosheviqin si një njeri me personalitet të dyzuar: arrogant dhe i ashpër me vartësit e tij të cilëve iu bërtiste gjithnjë dhe, në të njëjtën kohë, një baba dhe bashkëshort i dashur, transmeton Telegrafi.

Kroatët kanë përgjuar ish-presidentin serb që nga viti 1995 deri në maj 1998, duke regjistruar mbi 700 biseda telefonike të cilat ai i ka bërë gjatë qëndrimit të tij në shtëpinë e gjuetisë të Karagjorgjevë në Serbinë veriore, një ndër shtëpitë e preferuara të Titos për pushime. Ky lajm sensacional është dhënë në të përjavshmen e Zagrebit “Globus”, e cila ka botuar disa hollësi nga transkriptet e telefonatave të përgjuara.

Se materiali ishte origjinal mund të shihej nga fakti që ditën e botimit të tij, Zyra e Sigurimit Kombëtar të Kroacisë ka kërkuar hapjen e një hetimi mbi mënyrën e nxjerrjes së këtij informacioni dhe se kush ka hequr shënimin ‘top sekret’ nga materiali.

Gazetari i “Globus”-it, i cili ka parë materialin, thotë se dokumentet ishin pastruar imtësisht më parë. Me sa duket, shërbimet sekrete kroate kishin hequr disa nga pjesët e bisedave të Milosheviqit me bashkëpunëtorët e tij për t’i përdorur si provë në akuzën e Kroacisë ndaj Jugosllavisë në Hagë.

Zagrebi e akuzon Beogradin për agresion dhe gjenocid. Pjesa më e madhe e bisedave telefonike kanë qenë private ndërmjet Milosheviqit dhe gruas së tij Mira dhe me fëmijët e tij, Marko dhe Maria. Vetëm disa biseda të botuara në “Globus” kanë një dimension politik.

Një ndër më të rëndësishmet është biseda e tij me ish-presidentin amerikan, Bill Clinton, i cili i ka telefonuar Milosheviqit nga aeroplani i tij në kthim nga një vizitë e tij në Bosnjë, më 13 janar 1996. Biseda e cila është fokusuar në marrëveshjen e paqes së Dejtonit e cila sapo ishte nënshkruar, ka qenë miqësore. Milosheviq ka qenë shumë i kënaqur me të. Më pas, ai i ka telefonuar ministrit të Jashtëm jugosllav, Milan Milutinoviq.

Milosheviq është mburrur se Clintoni ka qenë “shumë miqësor”. Milutinoviqi ka qenë skeptik dhe ka thënë se Clintoni duhet të jetë fshehur në banjo nga frika e Madeleine Albright, në atë kohë ambasadore amerikane në OKB, e cila ka qenë në të njëjtin aeroplan me të. Milosheviq ka thënë: “Më duket se po bën shaka. Ti mendon se ai ka frikë nga ajo?” Milutinoviqi është përgjigjur: “Ajo është një plakë grindavece. Ti nuk e njeh si është ajo”.

Obsesioni i Milosheviqit, me dëshirën e mirë amerikane pas nënshkrimit të marrëveshjes së Dejtonit, tregohet edhe në bisedën që ka pasur më pas me Dragan Haxhi Antiq, redaktor i gazetës së përditshme të rëndësishme pro Milosheviqit, “Politika”. Një ditë pas bisedës me Clintonin, Milosheviq i ka telefonuar Antiqit dhe i është vërsulur me një lumë sharjesh, duke shprehur zemërimin e tij për komentin e botuar në faqet e gazetës “Politika” rreth vizitës së Clintonit në Bosnjë.

“Si guxon të shkruash se Clintoni ka ardhur në rajon vetëm për të bërë disa fotografi dhe për të larguar vëmendjen nga mos pjesmarrja e tij në luftën e Vietnamit dhe skandali ‘Whitewater’? A mos je çmendur vallë? Unë po përpiqem të ndërtoj diçka, ndërsa ti ia vë shkelmin dhe pështyn çdo gjë”, ka shfryrë ai.

Antiq ka pranuar të shkruajë një koment më të përshtatshëm.

“Tash do të shkruaj një koment tjetër”, i ka thënë ai.

Në një bisedë me vajzën e tij, Marija, në fund të vitit 1995, Milosheviqi i ka kërkuar asaj të flasë me Antiqin dhe t’i thotë të ndërhyjë te Dragan Milanoviq, kryeredaktor i Radiotelevizionit të Serbisë, RTS, të ndalojë glorifikimin e figurës së tij në emisionet e lajmeve.

“Thuaji atij të më heq nga lajmet. Dreqi ta hajë! Më ka ardhur në maje të hundës vetja ime”, ka thënë ai.

Pjesa më e madhe e telefonatave të tjera janë të mbushura me çështje të brendshme familjare. Në një telefonatë Milosheviq përpiqet të bind djalin e tij i cili ishte në Itali të mos bëjë një operacion plastik për të ndryshuar formën e veshëve të tij të dalë. Gjatë udhëtimit të tij në Itali Marko ka shprehur edhe një ide tjetër për të përmirësuar pamjen e tij të jashtme me ngjyra të ndryshme. Ai i ka thënë babait të tij se ai kishte ndër mend të ndryshonte ngjyrën e syve në mënyre që t’ia përshtaste atë kostumit që do të vishte në një ditë të caktuar.

Këto biseda familjare e paraqesin atë si një baba dhe bashkëshort të devotshëm.

Milosheviq ka ngushëlluar Marijen, atëherë pronare e radiostacionit “Kosava”, kur ajo kishte marrë kërcënime nga disa biznesmenë të cilët kërkonin ta blinin atë. Kur ajo është ankuar për disa firma të cilat i kishin para borxh asaj, ai e ka këshilluar ta çojë çështjen në gjyq për të marrë paratë. Megjithatë, Milosheviqi nuk ka qenë i kënaqur me marrëdhënien e saj me truprojën e saj, Dushan Vujisiq, i cili kishte vuajtur më parë një dënim me burg për tetë vjet për krime të lidhura me mafien.

Botimi i bisedave të përgjuara telefonike të Milosheviqit në “Globus” nuk është një hap politik i llogaritur. Kjo është vetëm marrëveshja e radhës në tregtinë fitimprurëse të dokumenteve sekrete të cilat janë nxjerrë nga shërbimet sekrete kroate vitet e fundit.

 

Shpërndaje në rrjete sociale