Sulm me thikë në Moskë/ I mituri vret një bashkëmoshatar dhe plagos rojën e shkollës

10:14 | 16 Dhjetor 2025
E.K

Një incident tragjik ndodhi sot në mëngjes në një shkollë në Moskë, kur një i mitur sulmoi me thikë dhe si pasojë i mori jetën një fëmije dhe plagosi një roje sigurie të shkollës.

Sipas një deklarate nga Komiteti Hetues i Federatës Ruse, incidenti ndodhi këtë mëngjes në një institucion arsimor të vendosur në vendbanimin Gorky-2, lagjen Odintsovo të Moskës. Siç raportohet, një i mitur hyri në ambientet e shkollës dhe pasi fillimisht e spërkati me sprej piperi rojën e sigurisë së shkollës, ai sulmoi me thikë atë dhe një nxëns tjetër. Më pas ai u fsheh në një klasë, ku qëndroi derisa u arrestua.

“Këtë mëngjes, në një nga institucionet arsimore të vendosura në lagjen Gorky-2 të lagjes urbane Odintsovo, një i mitur arriti të godiste me thikë rojen e sigurisë dhe një nga nxënësit. Si pasojë e plagëve që mori, fëmija vdiq”, raportoi shërbimi për shtyp i Komitetit Hetues.

Në të njëjtën kohë, Avokati i Popullit për Fëmijë i rajonit të Moskës konfirmoi se viktima e sulmit ishte një nxënës i klasës së katërt të shkollës fillore, i cili ndërroi jetë pas plagëve të marra.

Roja e sigurisë së shkollës mori ndihmën e parë, ndërsa autoritetet kompetente kanë nisur një hetim për rrethanat në të cilat ndodhi incidenti i përgjakshëm.

Deri më tani, nuk janë dhënë informacione të mëtejshme mbi motivet e autorit të krimit ose nëse ka pasur një incident të mëparshëm në ambientet e shkollës.