Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 11 dhjetor njoftoi se, nëse ngrihet aktakuzë lidhur me heqjen e statusit të monumentit të kulturës për kompleksin e Shtabit të Përgjithshëm në Beograd, ai do t’i falë të gjithë ata që “gjoja kanë marrë pjesë në keqpërdorime”.
“Nuk do t’iu jap mundësinë që të ndjekin penalisht ata që nuk kanë asnjë faj. Unë jam fajtor. Unë jam ai që kam dashur modernizimin e Serbisë. Unë jam ai që kam dashur të sjell një investitor të madh”, tha Vuçiq në Nish, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve pas vizitës në fabrikën Palfinger.
Në vendin ku ndodhet kompleksi i Shtabit të Përgjithshëm, i shkatërruar gjatë bombardimeve të NATO-s në vitin 1999, është planifikuar ndërtimi i një kompleksi luksoz nga kompania investuese “Affinity Partners” e Jared Kushnerit, dhëndrit të presidentit amerikan, Donald Trump.
Projekti kundërshtohet nga aktivistët, përfaqësuesit e partive opozitare dhe një pjesë e ekspertëve.
Ai përsëri ofendoi prokurorinë që po udhëheq hetimin për keqpërdorim të detyrës dhe falsifikim dokumentesh, në bazë të të cilave Qeveria në maj i hoqi statusin e pasurisë kulturore kompleksit të Shtabit të Përgjithshëm në qendër të Beogradit.
Vuçiq gjithashtu tha se nuk e di nëse ekziston aktakuzë ndaj tij në lidhje me këtë rast.
“Nuk e di nëse ekziston, por nuk mund ta fsheh buzëqeshjen dhe gëzimin. I nxis që ta publikojnë aktakuzën. Do të ishte kulmi i karrierës sime, sepse kjo do të tregonte në mënyrën më të mirë se si është rrënuar shteti, si e kanë rrëmbyer nga jashtë, çfarë kanë bërë përmes platformave mediale nga të gjitha anët”, tha Vuçiq.
Ndër të dyshuarit në procedurën e udhëhequr nga Prokuroria Publike për Krim të Organizuar e Serbisë është ministri aktual i Kulturës së Serbisë, Nikolla Sellakoviq. Atij i ngarkohen dy vepra penale: keqpërdorim i pozitës zyrtare dhe falsifikim i dokumentit zyrtar.
Që nga nisja e hetimit nga Prokuroria për Krim të Organizuar, Vuçiq, së bashku me përfaqësues të tjerë të pushtetit në Serbi, kanë bërë një sërë akuzash dhe fyerjesh ndaj prokurorisë.
Kolegji i Prokurorisë për Krim të Organizuar ka njoftuar disa herë se muajt e fundit prokurorët e tyre kanë qenë të ekspozuar ndaj presionit të vazhdueshëm përmes deklaratave publike të presidentit të Serbisë, përfaqësuesve të Kuvendit dhe Qeverisë si dhe aktorëve të tjerë politikë dhe disa mediave./rel
Pse na shtohet dëshira për ushqim gjatë dimrit?
Liverpooli ka një zëvendësues të gatshëm për Salahun –...
I akuzuari për vrasjen e Charlie Kirk paraqitet për herë të ...
Habit sondazhi i Politico: Trump, njeriu më i fuqishëm në Ev...
Katër të arrestuar në Vlorë për pengmarrjen e një kosovari, ...
Android tani ka mundësinë e ndarjes së video live me shërbim...