Opozita i koordinon veprimet për protestën e 18 prillit

18:41 | 8 Prill 2015
M. A.

(I plotësuar) Partitë opozitare po vazhdojnë t’i koordinojnë veprimet për protestën gjithëpopullore që do ta zhvillojnë më 18 prill në Prishtinë. Liderët e tri partive opozitare pas një takimi që kanë pasur sot, janë shprehur se përgatitjet po shkojnë, derisa kanë ftuar qytetarët që të marrin pjesë sa më masivisht për të kundërshtuar politikat qeverisëse të koalicionit aktual qeverisës.

Kryetari i Vetëvendosjes, Visar Ymeri, tha se është shumë e rëndësishme që qytetarët t’i bashkohen kësaj proteste e cila për qëllim e ka që institucionet e Republikës së Kosovës t’i kthej kah interesi i qytetarëve, e jo nga duart e një pakice.

Madje, ai tha se do të insistojnë në plotësimin e këtyre kërkesave, pasi nuk është vështirë ta realizojnë një Republikë që është e qytetarëve, sepse është e domosdoshme që qytetarëve t’u kthehet Republika.
“Katër temat e protestës janë, kundërshtimi i çmimit të lartë të energjisë elektrike, i cili po e varfëron edhe më tej qytetarin ndërsa po e pasuron klikun e privatizimit të ndërmarrjes publike të distribuimit dhe furnizimit me energji elektrike dhe po i shkakton shumë probleme edhe ekonomisë së vendit edhe gjendjes sociale të qytetarëve të Republikës së Kosovës. Çështja tjetër ka të bëjë me kapjen që iu është bërë sistemit juridik në Kosovë.”, tha Ymeri.

Ndërsa, lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj tha se kanë përparuar përgatitjet për protestën e 18 prillit, në kuptimin e identifikimit të temave, elaburimit të tyre, të skenarit të protestës dhe të gjitha argumenteve që janë të nevojshme për një protestë gjithëpopullore.

Ai tha se këtë protestë e kanë marr me përgjegjësi të plotë, duke qenë se kjo qeveri e ka kapur shtetin, korrupsioni i lartë, sistemi i drejtësisë e gjëra tjera.
“Aleanca e merr shumë seriozisht obligimin e vet për përgatitjen e protestës, ne mendojmë që kjo është një detyrë e jona për ta lehtësuar zërin qytetarë që të protestojë për proceset dhe temat që janë kaq të ndjeshme në Kosovë ”, tha Haradinaj.
Ndërsa, kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, ka ftuar të gjithë qytetarët që të dalin në protestën e 18 prillit dhe të jetë sa më masive, sepse ka tema të rëndësishme për të cilat duhet të protestohet.

“Më 18 prill të kemi një protestë sa më masive me pjesëmarrje të të gjithë qytetarëve të Kosovës. Në këtë rast jemi tri partitë e opozitës organizatore, duke i ftuar edhe organizatat e ndryshme, shoqërinë civile, njerëzit që kanë arsye dhe motive të jenë të pakënaqur me zhvillimet në vend.”, tha Limaj.

Në këtë takim ndër të tjera u vendosën kërkesat konkrete të protestës, si, të shfuqizohet vendimi i ZRrEE-së i datës 29 gusht 2014 dhe të shkarkohet Bordi i ZRrES-së, Trepça të shpallet me ligj ndërmarrje publike me status të veçantë, të shkarkohet Hajredin Kuçi, të dorëhiqet Enver Hasani dhe të shkarkohet menaxhmenti i RTK-së./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme