Kryeministri Edi Rama ka theksuar se Shqipëria, së bashku me vendet e tjera kandidate si Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut, duhet të heqin dorë nga e drejta e vetos gjatë procesit të anëtarësimit në Bashkimin Europian. Ai theksoi se Shqipëria nuk synon të dobësojë apo të shqetësojë BE, por dëshiron të kontribuojë për një Europë më të fortë dhe të bashkuar.
Në një intervistë për median holandeze “Volkskrant”, Rama vuri në dukje se agresioni rus ka ndryshuar kuptimin gjeopolitik të Europës, duke treguar nevojën për një unitet më të madh mes vendeve anëtare. Ai pranoi sfidat e Shqipërisë dhe theksoi se anëtarësimi në BE është një mundësi për të ndihmuar vendin të ndërtojë institucione më të forta.
Lexoni shkrimin e plotë të medias holandeze “Volkskrant”
Vendet e vogla kandidate për t’u bërë anëtarë të Bashkimit Europian, si Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut, duhet të heqin dorë nga e drejta e vetos gjatë procesit të anëtarësimit. Këtë e deklaroi kryeministri shqiptar Edi Rama të hënën pas vizitës së tij tek kryeministri në largim, Dick Schoof.
“E drejta e vetos nuk është vetëm një pengesë psikologjike për anëtarësimin,” tha Rama në një intervistë për Volkskrant, “ajo ka treguar shpesh edhe një kërcënim real për unitetin brenda BE-së. Ne duam të kundërtën. Nuk vijmë për të prishur ekuilibrin, nuk vijmë për t’i dobësuar ose për t’i shqetësuar juve”.
“Ne duam të forcohemi së bashku dhe jemi të gatshëm të heqim dorë nga gjërat që ju mund t’i konsideroni të komplikuara. Prandaj nuk kemi nevojë për të drejtë vetoje, nuk do të kundërshtojmë një shumicë dhe nuk na duhet një komisioner i veçantë.”
Rama, 61 vjeç, pas Viktor Orban është kryeministri më jetëgjatë në Europë, dhe gjatë fushatave të tij ka bërë premtimin kryesor për të arritur anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Për shumë vite, përpjekjet u penguan nga bllokimet e ngritura nga Holanda dhe Franca, por tashmë Shqipëria, së bashku me Malin e Zi, konsiderohet ndër kandidatët më premtues.
“Deri në vitin 2022, absolutisht asgjë nuk mund ta bindte BE-në të pranonte shtete të reja anëtare”, thotë Rama. “Por agresioni rus i dha Evropës një alarm të papritur. Që atëherë, të gjithë e kanë kuptuar se gjeopolitika nuk është një lojë, por diçka që sjell pasoja reale. Që atëherë, ata e kanë kuptuar se çfarë do të thotë që brenda kufijve të kontinentit, ka vende që mund të lëvizin lehtësisht në një drejtim krejtësisht të ndryshëm”.
Në të njëjtën kohë, pushtimi rus tregoi se BE-ja shpesh mund të veprojë ngadalë dhe me vështirësi, dhe është larg të qenit gjithmonë efikase, se ndoshta BE-ja mund ta ketë kaluar kulmin e saj. A dëshiron vetë Shqipëria t’i përkasë një komuniteti të tillë?
Kryeministri Edi Rama: Sigurisht që Evropa nuk funkson në mënyrë të përkryer. Madje mund të thuash: Evropa është zhgënjyese. Por pyetja është: a ndodh kjo sepse projekti nuk funksionon? Apo sepse projekti nuk është përfunduar ende? Unë besoj fuqimisht në përgjigjen e dytë: Bashkimi Evropian është ideja më e madhe politike që njerëzimi ka prodhuar ndonjëherë, thjesht nuk është përfunduar ende.
Kjo është arsyeja pse përgjigjja ndaj rendit botëror që ndryshon me shpejtësi duhet të jetë gjithmonë më shumë Evropë. Kurrë më pak Evropë. Nëse duam të qëndrojmë në këmbë mes të gjitha këtyre fuqive të reja në ngritje dhe të jemi pjesë e ekuilibrit të ri, na duhet një Evropë më e fortë, dhe për rrjedhojë një Evropë më e madhe. Është çmenduri që disa njerëz mendojnë se vendet bëhen më të forta pasi largohen nga Evropa; absurditet i plotë.
Për shumë vite, një nga pengesat më të mëdha ishte Holanda. A na fajësoni ne?
Kryeministri Edi Rama: Holanda dikur ishte një vend shumë i errët për ne, është e vërtetë. Këtu, ëndrrat tona u përplasën me një realitet të ashpër, me njerëz që ishin shumë krenarë për rreptësinë dhe ndershmërinë e tyre, por që nuk i vlerësonin gjithmonë kompleksitetet e realitetit. Për fat të mirë, kjo ka ndryshuar.
Megjithatë, dhe kjo mund t’ju habisë, i jam shumë mirënjohës Mark Rutte-s, pavarësisht atyre pak momenteve shumë të tensionuara mes nesh. Në fakt, edhe kur ishim në kahe të kundërta, e kam parë Markun njëkohësisht të tmerrshëm dhe magjepsës. Ai është, në shumë drejtime, një politikan mjeshtër; gjëja më e mirë që mund t’i ndodhte NATO-s në këto kohë shumë të vështira. Ka aftësinë t’ju thotë “fuck you” duke ju buzëqeshur, dhe për më tepër, nuk zemërohet kurrë nëse ia kthen po me “fuck you”.
Me të vërtetë mësova shumë prej tij. Vlerën e durimit, për shembull. Dhe falë tij, i kuptoj edhe kompleksitetet e Evropës shumë më mirë. Për shembull, tani e di se aty ku për të tjerët mjafton një provim i vetëm, me ju holandezët duhet të kalosh të paktën tre.
Sa i përket asaj rreptësie dhe drejtësie: një nga shqetësimet më të mëdha për anëtarësimin e Shqipërisë ka qenë dhe mbetet korrupsioni politik. Si planifikoni ta luftoni?
Kryeministri Edi Rama: Është e vërtetë që korrupsioni është problem për ne, ashtu si edhe krimi i organizuar. Për më tepër, ky problem është më i madh se i juaji, sepse institucionet tona nuk janë mjaftueshëm të forta dhe të zhvilluara për ta trajtuar atë siç duhet. Pikërisht për këtë arsye jemi kaq të etur për të negociuar pranimin. Kemi nevojë për ndihmë për të ndërtuar institucionet tona.
Në Shqipëri ka dyshime të konsiderueshme nëse ai e dëshiron vërtet këtë. Për shembull, ish-zëvendëskryeministri i tij tha këtë vit në një intervistë me të përjavshmen gjermane Der Spiegel se Rama “përdor gjyqësorin kundër kujtdo që përpiqet të pengojë përpjekjen e tij për pushtet”.
Rama vetë, megjithatë, pohon të kundërtën. “I thashë sot kryeministrit tuaj, Dick Schoof, se duhet të bëjmë për dhjetë vjet atë që juve ju deshën treqind vjet për ta bërë. Në kohën kur ryshfeti ishte i përhapur në Holandë, ai as nuk kishte lindur ende. Ndërsa kur mora unë detyrën e kryeministrit, ryshfeti ishte ende diçka krejt e zakonshme në Shqipëri. Po përpiqem ta ndryshoj këtë. Dhe po, herë pas here ndeshesh me rezistencë.”
Karta e tij më e fundit: duke besuar se dixhitalizimi i shërbimeve publike do të luftojë korrupsionin, Rama kohët e fundit emëroi Diellën “të ndershme, plotësisht transparente, të shpejtë si rrufeja dhe të pakorruptueshme” si Ministre të Prokurimit, roboti i parë i inteligjencës artificiale në botë që u bë zyrtar qeveritar.
“Ajo merr pjesë tashmë në mbledhjet e qeverisë,” thotë Rama, “dhe vitin tjetër do të jetë e disponueshme edhe si hologram për intervista të drejtpërdrejta. Atëherë mund t’ia bëni vetë pyetjen se sa e korruptuar është”.
/rtsh.al/
PZAP rrëzon vendimin e KQZ-së, certifikon Listën Serbe për t...
Orav përshëndet konsolidimin e qeverisjes lokale në 20 komun...
Qeveria britanike ofron deri në 3000 paund për emigrantët sh...
Gjermania hedh poshtë pretendimet e SHBA për Evropën: Ne nuk...
BE mirëpret betimin e kryetarëve në komunat e veriut
Osmani uron Tajlandën për Ditën Kombëtare: Mezi pres të forc...