Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama do të marrë pjesë në takimin e Komunitetit Politik Evropian, që do të mbahet më 2 tetor në Kopenhagë, Danimarkë.
Ditën e sotme, Rama është pritur nga Madhëria e Tij, Mbreti Frederiku X, dhe Madhëria e Saj, Mbretëresha Margrethe II, në Pallatin Amalienborg në Kopenhagen.
“Pas mikpritjes që Shqipëria i bëri Samitit të Komunitetit Politik Evropian në Tiranë, sot rrugëtimi vijon në Kopenhagen, ku Danimarka ka marrë stafetën e organizimit të takimit të radhës”, shkruan Rama.
Ky samit, i cili do të bashkojë 47 kryetarë shtetesh dhe qeverish nga i gjithë kontinenti, do të ketë në fokus situatën e përgjithshme të sigurisë në Evropë, ku do të diskutohet se si mund të forcohet Ukraina dhe si mund të bëhet Evropa më e fortë dhe më e sigurt në situatën gjeopolitike aktuale.
Bashkimi Evropian do të përfaqësohet nga Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, i cili do të bashkëkryesojë takimin me Kryeministren e Danimarkës, Mette Frederiksen.
Programi i punimeve parashikon mbërritjen e delegacioneve në orën 08:15, seancën plenare hapëse në 10:00, fotografinë e përbashkët në 11:30, tryezat e rrumbullakëta në 12:00, takimet bilaterale në 13:00 dhe sesionin përmbyllës në orën 15:00.
Komuniteti Politik Evropian synon të nxisë dialogun politik dhe bashkëpunimin ndërmjet vendeve evropiane për të adresuar çështje me interes të përbashkët, për të forcuar sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin në kontinentin evropian, duke krijuar një hapësirë të përbashkët për koordinim politik.
Takimi i mëparshëm u zhvillua në Tiranë më 16 maj të këtij viti, ndërsa takimet e radhës janë planifikuar të mbahen në Armeni dhe Irlandë./rtsh.al/
Kelmendi do të ankohet ndaj vendimit të Themelores që refuzo...
Shqipëria ndaloi 51 ton misër nga Serbia, konstatohet prani ...
Kurti: Mbi 12 milionë euro për transformimin e tërësishëm të...
13-vjeçari ther me thikë një 19-vjeçar pas një përleshje në ...
Rizvanolli: Kosova nuk ka importuar rrymë nga EFT gjatë qeve...
Ambasadori i ri gjerman viziton Mitrovicën e Veriut, thotë s...