Arabia Saudite dhe Pakistani, me armë bërthamore, kanë nënshkruar një pakt mbrojtjeje reciproke, i cili e konsideron se çdo sulm ndaj njërës prej palëve, është sulm ndaj të dyjave. Kjo ngjarje ka ndodhur pas goditjes së Izraelit ndaj Katarit më herët, këtë muaj.
Mbretëria Saudite prej kohësh ka pasur lidhje të ngushta ekonomike, fetare dhe të sigurisë me Pakistanin, përfshirë raportimet se ka financuar programin bërthamor të Islamabadit gjatë zhvillimit të tij. Analistët, dhe në të paktën një rast edhe diplomatët pakistanezë, kanë sugjeruar ndër vite se Arabia Saudite mund të përfshihet nën “ombrellën” bërthamore të Pakistanit, veçanërisht, teksa tensionet janë rritur mbi programin atomik të Iranit.
Por koha e nënshkrimit të paktit duket si një sinjal për Izraelin, i cili prej kohësh dyshohet se është shteti i vetëm në Lindjen e Mesme me armë bërthamore dhe që ka zhvilluar një ofensivë të gjerë ushtarake që nga sulmi i Hamasit më 7 tetor 2023, duke përfshirë Iranin, Libanin, territoret palestineze, Katarin, Sirinë dhe Jemenin, raporton AP.
Izraeli nuk e ka pranuar paktin, i cili është vendimi i parë i fortë mbrojtës i një shteti arab të Gjirit pas sulmit në Katar javën e kaluar. Shtetet e Bashkuara, garantuesi tradicional i sigurisë për shtetet e Gjirit, gjithashtu nuk e kanë komentuar menjëherë marrëveshjen.
Princi i fuqishëm i Kurorës, Mohammed bin Salman, e nënshkroi paktin të mërkurën me kryeministrin pakistanez Shehbaz Sharif.
Megjithëse nuk përmend në mënyrë specifike armën bërthamore, marrëveshja thekson se “çdo agresion ndaj njërës prej vendeve do të konsiderohet agresion ndaj të dyjave”, sipas deklaratave të lëshuara nga Ministria e Punëve të Jashtme e Pakistanit dhe Agjencia Saudite e Shtypit.
“Kjo marrëveshje … synon të zhvillojë aspektet e bashkëpunimit në mbrojtje mes dy vendeve dhe të forcojë pengesën e përbashkët ndaj çdo agresioni,” thuhet në deklaratë./rtk
Fillon aplikimi për akreditimin e vëzhguesve dhe mediave për...
Ndërrimi i pushtetit në veri – Flamujt e fotografia e ...
Hetemi gati për ta dorëzuar mandatin e kryetarit të Leposavi...
Lista Serbe merr pushtetin në komunat në veri të Kosovës
Arrestimet e shqiptarëve nga serbët, Syla: Mos kaloni nga Se...
OVL UÇK konfirmon protestën më 13 dhjetor në Shkup