Kamberi: Futja e shërbimit të detyrueshëm ushtarak ngjall shqetësim te shqiptarët në Luginë

08:59 | 17 Shtator 2025
E.K

Deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me rikthimin e mundshëm të shërbimit të detyrueshëm ushtarak në Serbi, duke e cilësuar këtë nismë si veçanërisht problematike për shqiptarët në Luginën e Preshevës.

Sipas Kamberit, kujtesa kolektive e shqiptarëve në këtë rajon mbetet ende e ngarkuar nga përvojat e hidhura me Armatën Popullore të Jugosllavisë (APJ), gjatë së cilës shumë të rinj shqiptarë u përballën me trajtim diskriminues dhe, në disa raste, me pasoja tragjike.

“Aktualisht, në Serbi, janë duke u bërë përgatitjet e fundit për futjen në funksion të shërbimit të detyrueshëm ushtarak. Kjo nismë ngjallë shqetësim te shqiptarët në Luginë të Preshevës për shkak të përvojave të dhimbshme historike në trajtimin diskriminues dhe tragjeditë e pësuara në të kaluarën nga të rinjtë shqiptarë që ishin në shërbim në APJ. Kujtesa kolektive e shqiptarëve është akoma e rëndë për ato pasoja tragjike’, tha ai.

Kamberi ka paraqitur në Kuvendin e Serbisë një propozim për themelimin e një Komisioni të posaçëm parlamentar, që do të hetojë vdekjet e 135 ushtarëve shqiptarë gjatë shërbimit në APJ në vitet ’80.

“Prandaj, në procedurë parlamentare, sot, dorëzova Propozimin për themelimin e një Komisioni të posaçëm, me mandat për të zbardhur rastet e vdekjeve të 135 ushtarëve shqiptarë në radhët e Armatës Popullore të Jugosllavisë (APJ) gjatë viteve ’80. Shumë nga këto raste, të regjistruara si “vetëvrasje”, “aksidente” apo “shkelje disiplinore”, u konsideruan të dyshimta nga familjet e viktimave, të cilat shpesh raportuan shenja dhune mbi trupat e kthyer”, tha tutje ai./Arbresh.info