Donnarumma: Fatkeqësisht dikush vendosi që unë të mos jem më pjesë e skuadrës, jam i zhgënjyer dhe i dëshpëruar

21:29 | 12 Gusht 2025
D.H

Gianluigi Donnarumma e ka konfirmuar se largimin nga Parisi e dëshiron një njeri, duke aluduar tek trajneri Luis Enrique, mirëpo pa dhënë një emër.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë futbollisti përmes një postimi në rrjetin social Instagram, ku ka ndarë një letër me gjithë tifozët parisien, shkruan Arbresh.info.

“Për tifozët e veçantë të Parisit, Që nga dita e parë që mbërrita, dhashë gjithçka – në fushë dhe jashtë saj – për të fituar vendin tim dhe për të mbrojtur portën e Paris Saint-Germain.”

“Fatkeqësisht, dikush vendosi që unë të mos jem më pjesë e skuadrës dhe të kontribuoj në suksesin e ekipit. Jam i zhgënjyer dhe i dëshpëruar. Shpresoj të kem mundësinë t’i shikoj tifozët në Parc des Princes edhe një herë në sy dhe t’u them lamtumirë ashtu siç duhet bërë.”

“Nëse kjo nuk ndodh, dua t’ju bëj të ditur se mbështetja dhe dashuria juaj kanë kuptim të madh për mua dhe nuk do ta harroj kurrë. Do të mbaj gjithmonë me vete kujtimin e të gjitha emocioneve, netëve magjike, dhe të juve, që më bëtë të ndihem si në shtëpi.”

“Për bashkëlojtarët e mi, familjen time të dytë, faleminderit për çdo betejë, çdo të qeshur, çdo moment që kemi ndarë. Do të jeni gjithmonë vëllezërit e mi. Të luash për këtë klub dhe të jetosh në këtë qytet ka qenë një nder i madh. Faleminderit, Paris”, thuhet në letrën e shkruar nga portieri italian.

Luis Enrique konfirmoi përmes një interviste në Sky Sport se ai ka dashur ta largojë nga ekipa italianin, pasi i duhet një portier me cilësi tjera.

Donnarumma është pjesë e Parisit që nga viti 2021 dhe ka një kontratë të vlefshme deri verën e ardhshme, mirëpo si po shkojnë gjërat ai shumë shpejtë do të largohet nga ky klub.

Sipas raportimeve të fundit e ardhmja e tij mund të jetë në Angli tek Manchester City./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale