Dërgimi i forcave të FSK-së bë veri, gjegjësisht në liqenin e Ujmanit për të ndihmuar në gjetjen e personit të zhdukur më 27 korrik atje, u bë temë diskutimi, jo vetëm nga aktorët vendorë, por edhe nga ata ndërkombëtarë me shërbim në Kosovë.
Pasi ambasada gjermane reagoi mbi politizimin e kësaj çështje, e madje edhe për propagandën që u bë me fotot e FSK-së në veri nga zyrtarë shtetërorë e aktivistë të partisë në pushtet, duke mos paraqitur edhe pjesëtarët e KFOR-it, edhe Franca doli me një reagim.
Ambasadori i Parisit në vendin tonë, Olivier Guerot, tha se KFOR-i meriton respektin e të gjithëve, jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon.
“Franca mbështet plotësisht KFOR-in dhe Komandantin e tij. Që nga krijimi i tij, KFOR-i ka luajtur dhe vazhdon të luajë një rol të pazëvendësueshëm në sigurimin e sigurisë për të gjithë. Ai meriton respektin dhe mirënjohjen e të gjithë aktorëve në rajon”, tha Guerot, teksa potencoi se “Franca do të vazhdojë t’i ofrojë misionit gjithë mbështetjen e nevojshme në një kontekst ku dezinformimi dhe manipulimi i informacionit po bëhen sistematike”.
Ndër të tjera, Guerot shprehu “respekt për mediat që kanë raportuar me saktësi mbi rolin e KFOR-it në përpjekjet për të rikuperuar trupin e personit të zhdukur nga Liqeni” i Ujmanit.
Kujtojmë se gjatë ditës së sotme, ekipet e Kërkim Shpëtimit në Ujëra të FSK-së shkuan në Ujman për të ndihmuar në gjetjen e personit të zhdukur, 33-vjeçarit Rrahim Latifi. Ata edhe e gjetën atë, të pajetë.
Megjithatë, gjetja e trupit të Rrahim Latifit kaloi paksa në rend të dytë. Kjo pasi nga partia që po e mban pushtetin në detyrë, Lëvizja Vetëvendosje, u tentua që FSK-në në veri ta paraqesin si fitore të tyre.
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ndau disa fotografi në profilin e tij në Facebook, duke mos shfaqur pamje të cilat tregonin se automjetet e FSK-së ishin të shoqëruara nga automjete të KFOR-it.
Kjo irritoi një pjesë të opinionit, duke pretenduar madje se LVV-ja kishte manipuluar fotografitë, duke hequr automjetet e KFOR-it nga fotografitë. Por që u kuptua se fotot, ministri i kishte marrë nga media “Kallxo”, mirëpo në mesin e atyre të përzgjedhurave kishte “harruar” të përfshinte edhe ato me KFOR-in.
Në profilet e aktivistëve të LVV-së, në masë të madhe u shpërnda edhe një pretendim që thoshte, “Ushtria e Kosovës për herë të parë po zbarkon në veri”.
Ky pretendim u hodh poshtë nga ish-komandantët e FSK-së, të cilët treguan shumë raste kur FSK-ja, herë si ushtri e herë si forcë mbrojtëse, kishte marrë pjesë në operacione të ndryshme në pjesën veriore të vendit.
Shkuarja e trupave të FSK-së në veri duhet të bëhet në koordinim me KFOR-in, dhe kjo në bazë të një marrëveshjeje të nënshkruar më 2013 mes atëherë kryeministrit Hashim Thaçi dhe shefit të atëhershëm të NATO-së, Anders Fogh Rasmussen.
Edhe shkuarja e sotme ekipeve të Kërkim Shpëtimit në Ujëra të FSK-së u bë në koordinim me KFOR-in, gjë që u konfirmua nga vetë ky mision.
Ambasada zvicerane demanton pretendimet se Zvicra po kërkon ...
Si operojnë kompanitë e Elektroprivredës së Serbisë me seli ...
Londrimi “çmendet” pas këngës së Remzije Osmanit
Osmani uron Sirinë për Ditën e Çlirimit: Të dy vendet tona k...
Të shtëna me armë në një qendër tregtare në Oslo, një i arre...
Spiropali: Të rinjtë, faktor thelbësor për anëtarësimin e Sh...