Arrestohet 34-vjeçari në Ferizaj për disa raste të vjedhjeve

14:35 | 1 Korrik 2025
E.H

Policia e Kosovës njofton se sot rreth orës 02:00 në rrugën “Dëshmorët e Kombit” në Ferizaj, kanë kapur në flagrancë një person duke tentuar të kryej vjedhje në një market.

Sipas policisë, bazuar në deklaratën e të dëmtuarit, në këtë market dyshohet se janë kryer edhe katër raste të mëparshme të vjedhjeve, ku janë marrë produkte ushqimore dhe pije të ndryshme.

“I dyshuari F.Sh., 34 vjeç, është arrestuar nga policia dhe është shoqëruar në stacionin policor në Ferizaj. Gjatë intervistimit nga hetuesit policorë, ai ka pranuar se ka kryer vjedhjen e sotme, si dhe disa herë të tjera në të njëjtin market. Po ashtu, ka deklaruar se ka kryer vjedhje edhe në një market tjetër në rrugën “Ahmet Kaçiku” në Ferizaj”, thuhet në njoftim.

Lidhur me rastin, është njoftuar prokurori kujdestar dhe i dyshuari është ndaluar për 48 orë./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale