Tragjedia në Koçan/ Dhjetëra familjarë ende s’e dinë fatin e fëmijëve të tyre, kërkojnë ndihmë në rrjetet sociale

10:55 | 16 Mars 2025
E.G

Në rrjetet sociale janë shfaqur disa fotografi të personave që ishin të pranishëm në ngjarjen tragjike në diskotekën “Puls” në Koçan ku humbën jetën të paktën 50 persona dhe u plagosën dhjetëra të tjerë nga zjarri që përfshiu klubin e natës.

Në “Instagram” dhe “Facebook” po shpërndahen fotografi të të rinjve, prindërit dhe familjet e të cilëve po kërkojnë informacion për më të afërmit e tyre, ka raportuar mediumi maqedonas, Kanal 5.

Fotografitë e tyre, së bashku me emrat dhe numrat e telefonit janë shpërndarë, me kërkesën që, nëse dikush e di në cilën spital ndodhen ose ka ndonjë informacion tjetër, të njoftojë në numrat e dhënë.

Të paktën 51 persona kanë gjetur vdekjen si pasojë e shpërthimit të zjarrit në një klub nate, në qytetin lindor të Maqedonisë së Veriut, Koçan.

Shumë të tjerë kanë mbetur të plagosur.

Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së dielës.

Zjarri është përhapur nga mjetet piroteknike që janë përdorur gjatë një performance nga bendi maqedonas DNA.

Në kohën e shpërthimit dhe përhapjes së zjarrit, klubi ka qenë i mbushur me njerëz.

Sipas informacioneve nga Ministria e Brendshme e vendit, rreth 1500 persona ishin në ambientet e ngjarjes dhe ndiqnin koncertin.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme