Izraeli ndërmori një valë intensive sulmesh ajrore në jug të Libanit, njoftuan burimet libaneze të sigurisë dhe ushtria izraelite. Ky është një rast i rrallë që Izraeli njofton për operacione të forcave speciale në kufi.
Burime libaneze të sigurisë i thanë agjencisë së lajmeve ‘Reuters’ se Izraeli kishte kryer të paktën 16 sulme ajrore në Luginën Suluki, duke i cilësuar ato si “bombardimet më të dendura në një zonë të vetme” që nga fillimi i armiqësive në zonë kufitare tre muaj më parë.
Militantët e Hezbollahut, që mbështeten nga Irani, kanë shkëmbyer zjarr me forcat izraelite përgjatë kufirit jugor të Libanit, për të shprehur përkrahjen për Hamasin në Rripin e Gazës.
Militantët e Hamasit ndërmorën një sulm të befasishëm kundër Izraelit më 7 tetor duke vrarë mbi 1 mijë njerëz dhe marrë mbi 200 pengje, çka shkaktoi një reagim ushtarak izraelit në shkallë të gjerë ndaj Hamasit që ka kontrolluar Rripin e Gazës që nga viti 2007.
Ushtria izraelite tha se kishte kryer “sulme ajrore dhe me artileri” kundër pozicioneve të Hezbollahut dhe infrastrukturës së armatimeve në Luginën e pyllëzuar të Sulukit “brenda një kohe të shkurtër”.
Burimet libaneze të sigurisë nuk konfirmuan nëse ishin goditur objektivat e Hezbollahut, por thanë se grupi i armatosur rëndë e ka përdorur luginën për të lëshuar raketa kundër Izraelit.
Radioja izraelite ‘Kan’ raportoi të martën për atë që e quajti një sulm jashtëzakonisht të madh nga forcat ajrore izraelite dhe artileria ndaj dhjetëra objektivave në Luginën e Sulukit.
Hezbollahu tha të martën se kishte qëlluar me raketa trupat izraelite përtej kufirit kodrinor.
Ushtria izraelite tha se forcat speciale kishin kryer një sulm në zonën Ayta al-Shaab në Libanin jugor “për të eliminuar një kërcënim” dhe se një sulm ajror kishte goditur një lëshues raketash antitank të Hezbollahut në rajon.
Ushtria izraelite rrallë herë i pranon operacionet e forcave speciale, ndërsa nuk dha detaje se ku kishin vepruar dhe se çfarë lloj kërcënimi kishin eliminuar./voa
I dyshuari kishte armë dhe disa thika, ishte mysafir i hotel...
Breshëri plumbash në mesnatë: Sulmohet autosalloni në magjis...
Sulmi në darkën e Shtëpisë së Bardhë: I dyshuari thotë se sy...
45 aksidente trafiku në 24 orët e fundit, afro 1 mijë e 900 ...
Netanyahu i tronditur nga sulmi ndaj Trumpit
Darka e Presidentit Trump me gazetarët, autori qëlloi ndaj n...