Miftaraj: Komisioni i Venecias tha se propozimi i Qeverisë për Byronë ka të meta të mëdha

15:52 | 18 Qershor 2022
E.H

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, ka reaguar pas deklaratave të Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiut, e cila sot në një konferencë për media bashkë me kryeministrin Albin Kurti tha se kanë marrë dritën e gjelbër nga Komisioni i Venecias për të filluar me Vettingun dhe me themelimin e Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Miftaraj ka thënë se janë dy opinione të këtij Komisioni, një për Vettingun e një për Byronë, por sipas tij, këto dokumente ndryshe po lexohen dhe kuptohen nga politika e ndryshe nga juristët.

“Janë dy opinione të Komisionit të Venecias, një për Vetting dhe një për Byro.
Interesant sesi të njëjtat dokumente, lexohen dhe kuptohen ndryshe nga politika, ndryshe nga juristet”, ka shkruar Miftaraj.

Sipas tij, Vettingu ka marrë dritën e gjelbër, por jo si është kërkuar nga Qeveria e Kosovës.

Ndërsa, sa i përket Byrosë, Miftaraj ka deklaruar se sipas Komisionit të Venecias, propozimi i Qeverisë ka të meta të mëdha që cenojnë të drejtat dhe liritë themelore.

“Byroja jo si është propozuar. Propozimi i qeverisë ka të meta të mëdha që cenojnë sigurinë juridike, cenojnë sistemin aktual, cenon të drejtat dhe liritë themelore, sipas Komisionit të Venecias”, ka shkruar në fund Miftaraj./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme