Haxhiu: Qeveria deri në 16:00 ka kohë për projektligjin për tërheqjen e parave nga Trusti

09:24 | 21 Prill 2022
A Z

Qeveria e Kosovës ka kohë sot deri në ora 16:00 të japë një mendim rreth projektligjit për tërheqjen e mjeteve nga Trusti.

Kështu bëri të ditur deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu.

Sipas tij, në rast se kjo nuk ndodh projektligji do të kthehet në Kuvend dhe do të trajtohet sipas procedurës për miratimin e ligjeve.

“Sipas procedurës parlamentare për miratimin e ligjeve Qeveria ka afat 30 ditor për të dhënë mendimin për projektligjin, do të thotë deri sot në ora 16:00. Pas ditës së 30-të projektligji kthehet në Kuvend në procedurë parlamentare dhe trajtohet sipas procedurës për miratimin e ligjeve në lexim të parë dhe të dytë. Respektivisht nga nesër projektligji vjen në Kuvend dhe iu shpërndahet deputetëve”, tha ai për klankosova.

Në rast se ky projektligj, i propozuar nga PDK-ja, kalon qytetarëve do t’iu mundësohet tërheqja deri në 30 për qind e mjeteve nga Fondi i Kursimeve Pensionale.