Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka zhvilluar një takim virtual me presidenten e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola me të cilën diskutuan një sërë temash, që nga liberalizmi i vizave për Kosovën, situata aktuale në Evropë pas luftës së Rusisë kundër Ukrainës, si dhe përkushtimin e Kosovës për paqe dhe dialog.
Duke e falënderuar presidenten Metsola për përkushtimin e saj për të përshpejtuar procesin e liberalizimit të vizave për shtetasit e Kosovës, Osmani ritheksoi se populli i Kosovës është populli më pro-evropian në botë, prandaj e drejta për të udhëtuar lirshëm duhet garantuar pa vonesë.
“Vlerat evropiane janë të mishëruara në Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe përparimi i vazhdueshëm i vendit tonë në indekset e ndryshme të demokracisë dhe luftës kundër korrupsionit janë dëshmi që e ardhmja jonë e vetme është në familjen evropiane. Ne jemi të përkushtuar që të forcojmë marrëdhënien tonë për një rrugëtim të drejtë e të barabartë drejt Bashkimit Evropian”, ka theksuar presidentja Osmani.
Në këtë bashkëbisedim, Osmani e informoi Metsola-n për synimin e Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, përpjekjet institucionale për rimëkëmbje nga pandemia dhe rolin konstruktiv të Kosovës në procesin e dialogut me Serbinë. Ndërkaq presidentja Matsola e falënderoi Osmanin për bashkërendimin e Kosovës me partnerët perëndimorë për luftën në Ukrainë dhe ritheksoi kërkesën e vazhdueshme të Parlamentit Evropian për përshpejtim të liberalizimit të vizave./arbresh.info/
EKSKLUZIVE – MPB shkarkon 15 ish-roje serbë të urës në Mitro...
Kosova përfshihet në listën e vendeve të sigurta të BE-së si...
Publikohen pamjet e para nga sulmi tragjik në Kanada, ku 9 p...
Sulmi me armë në shkollën kanadeze/ Begaj: Dënojmë aktet e d...
Lirohet nga arresti mësimdhënësi që ushtroi dhunë ndaj nxënë...
Zyrtare/ Valon Berisha transferohet tek Zurich