Reshjet e borës anulojnë zgjedhjet në dy fshatra të Shkodrës

15:58 | 6 Mars 2022
A Z

Për shkak të kushteve të këqija të motit nuk ka qenë i mundur dërgimi i komisionerëve në qendrat e votimit në fshatin Shosh dhe Pult në Shkodër. Për pasojë, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi njoftoi se votimi konsiderohet i pafilluar dhe i përfunduar.

“Aty nuk është votuar për arsye objektive. Situata ka qenë shumë e vështirë në kushte ekstreme atmosferike dhe nuk ia vlente barra qiranë që të rrezikonin jetën për të shkuar atje. Edhe në këmbë e kanë patur të vështirë për të shkuar”, u shpreh Celibashi.

Por çfarë pritet që të ndodhë më pas?

“Kjo është një çështje për t’u vlerësuar pasi të ketë mbaruar procesi. Kodi Zgjedhor, nëse zgjedhjet shpallen të pavlefshme në një ose disa qendra votimi dhe numri i zgjedhësve është i tillë që është më i madh se diferenca kandidati fitues me të dytin atëherë zgjedhjet shpallen të pavlefshme në të gjithë bashkinë. Kjo mbetet për t’u parë. Ngelet për t’u parë aspekti numerik i kësaj çështje dhe arsyet pse mund të shpallen këto zgjedhje të pavlefshme. Është e qartë që për faktin që nuk është zhvilluar procesi i votimit në këto qendra, por mund të ketë edhe arsye të tjera”, sqaroi Celibashi./tvklan