Borrell: Mezi presim që së shpejti të kemi përparim konkret rreth dialogut Kosovë-Serbi

14:37 | 20 Shkurt 2022
A Z

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Çështje të Sigurisë, Josep Borrell ka thënë se mezi pret një përparim konkret në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Këto komente Borrell i bëri pas një takimi që ka zhvilluar me kryeministrin Albin Kurti dhe ministren e Jashtme, Donika Gërvalla të cilët po qëndrojnë në Mynih të Gjermanisë ku po marrin pjesë në Konferencën e Sigurisë.

Borrell përmes një postimi në Twtter ka shkruar se me kryeministrin Kurti kanë diskutuar për sifdat gjeopolitike dhe implikimet rajonale në Ballkan.“Shkëmbime të mira me kryeministrin Albin Kurti dhe ministren e Jashtme, Donika Gërvalla në lidhje me sfidat gjeopolitike që po shohim për momentin dhe implikimet rajonale në Ballkanin Perëndimor. Ne diskutuam gjithashtu edhe hapat e ardhshëm në dialogun Beograd-Prishtinë. Mezi presim së shpejti të kemi përparim konkret”, ka shkruar Borrell.

Ndryshe kryeministri Kurti tha se Qeveria e Republikës së Kosovës është palë konstruktive që angazhohet për një marrëveshje ligjërisht të obligueshme që në qendër ka njohjen reciproke.

Në shërbim të kësaj, ai tha se është i gatshëm t’i përgjigjet ftesave për takime të liderëve nëse ka vullnet të njëjtë nga pala serbe.