Kryeministri Kurti në AKP, numëron katër sukseset e bordit të ri

10:37 | 19 Janar 2022
A Z

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti së bashku me Ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe Ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati kanë vizituar Agjencinë Kosovare të Privatizimit.

Pas takimit Kurti në një konferencë për medie, tha se në këtë takim u diskutua për katër çështjet me rëndësi në lidhje me të arriturat në këtë agjenci.

“Tash së fundmi Qeveria ka pranuar koncept-dokumentin për Fondin Sovran. Paralelisht bordi i AKP-së ka arritur t’i evidentojë 2364 asete të AKP-së që pas një analize është vlerësuar se 1653 prej tyre do t’i barten Fondit Sovran. 771 do të vazhdojnë të ngelen nën portofolin e AKP-së”, ka thënë Kurti.

Suksesi i tretë i bordit të ri të AKP-së, sipas Kurtit, është shkurtimi i shpenzimeve, në vlerë prej mbi 2.6 milionë eurosh.

Në pikë të katërt ai ka përmendur aktivizimin e ndërmarrjes shoqërore “Brezovica” për të cilën tha se kanë filluar edhe lëshimi i kuponëve.

Ndërsa Kryetari i Bordit të AKP-së, Nazmi mikollovci  falënderoi kryeministrin Kurti dhe ministrat që morën pjesë në këtë takim.

“Jemi marrë vesh për shumë çështje. Prej fillimit kemi pas përkrahje për punë dhe veprimet qe i kemi bërë tash ka ardhur koha për me fillua edhe puna themelore e jonë e cila është vazhdimi i privatizimit të këtyre pronave të cilat i kemi vlerësuar që nuk kanë potencial zhvillimor. Unë besoj që diku për tri vite përfundojë i gjithë aktiviteti i privatizimit i cili po zgjat qe afër 20 vite”, tha ai./arbresh.info/