Franca do të fillojë ndërtimin e reaktorëve të rinj bërthamorë “për të garantuar pavarësinë energjetike”, njoftoi presidenti francez, Emmanuel Macron, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Ne do të rifillojmë për herë të parë në dekada ndërtimin e reaktorëve bërthamorë në vendin tonë dhe do të vazhdojmë të zhvillojmë energjitë e rinovueshme”, tha Macron të martën në një fjalim televiziv, pa dhënë detaje të mëtejshme mbi numrat ose vendndodhjen e reaktorëve.
Ai tha se reaktorët e rinj do të garantojnë pavarësinë e energjisë, furnizimin me energji elektrike dhe do t’i mundësojnë Francës të arrijë objektivat e saj, përfshirë neutralitetin e karbonit në vitin 2050.
Franca përfiton rreth 70 për qind të energjisë elektrike nga energjia bërthamore. Sipas politikës së saj të tranzicionit të energjisë 2015, qeveria planifikon të zvogëlojë pjesën e saj të energjisë bërthamore në 50 për qind deri në vitin 2025, në mënyrë që të rrisë pjesën e energjisë së rinovueshme. Vendi aktualisht ka mbetur prapa objektivave të tij për energjinë e rinovueshme të vendosura nga Bashkimi Evropian.
“Nëse duam të paguajmë energjinë tonë me tarifa të arsyeshme dhe të mos varemi nga vendet e huaja, ne duhet të vazhdojmë të kursejmë energji dhe të investojmë në prodhimin e energjisë pa karbon në tokën tonë”, tha Macron.
Franca aktualisht ka 56 reaktorë bërthamorë të funksionueshëm dhe një reaktor evropian me presion (EPR) në ndërtim në termocentralin Flamanville. Projekti, i nisur në vitin 2007 është vonuar dhe mund të jetë gati deri në vitin 2023.
Katër të vrarë në sulmet izraelite në Libanin jugor
“Je pa karrierë”, Ermiona flet për Sonin pas daljes nga Ferm...
“Mjaft me izolim!” – Protestohet në Çakorr për hapjen e kufi...
Rritet sërish çmimi i naftës në Shqipëri
Osmani kalon fundjavën në Mitrovicë: Plot dashni me fëmijët ...
Ukraina godet për herë të parë qytetet në afërsi të Uralit