Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, tha sot se shkarkimi i kryetares së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, është veprim politik i presidentes Vjosa Osmani nën urdhrat e kryeministrit Albin Kurti dhe Lëvizjes Vetëvendosje.
“Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, sot zbatoi urdhrin politik të Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes për ta kapur edhe një institucion të pavarur kushtetues të Kosovës siç është Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Ky është sulm direkt mbi KQZ-në dhe kapje e këtij institucioni”, tha Deliu-Kodra.
Veprimi i sotëm i presidentes Vjosa Osmani, sipas deputetes Deliu-Kodra, përbënë shkelje të Kushtetutës së Kosovës dhe ndërhyrje flagrante në institucionin e pavarur kushtetues.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tash e sa vite është vlerësuar nga të gjithë mekanizmat ndërkombëtarë për organizimin e zgjedhjeve kredibile, më të mira në rajon. Sot presidentja Vjosa Osmani përmes urdhrave politik të Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes, e goditi pavarësinë e KQZ-së dhe po vënë në pikëpyetje kredibilitetin e këtij institucioni në prag të zgjedhjeve lokale”, tha ajo.
PDK fton të gjitha Ambasadat e Vendeve të QUINT-it që të reagojnë urgjentisht për cenimin e institucioneve të pavarura kushtetuese në Kosovë, përmndryshe, siç tha deputetja Deliu-Kodra, mos reagimi i tyre konfirmon mbështetjen e kapjes së këtyre institucioneve të pavarura.
Deliu Kodra tha se nga sot, Vjosa Osmani do të jetë përgjegjëse direkte e mbarëvajtjes së zgjedhjeve lokale në vjeshtë të këtij viti.
“Para se të vijnë deri tek shkarkimi politik i zonjës Daka, Lëvizja Vetëvendosje u kujdes që së pari ta indimidojë atë duke filluar nga sulmet e ulëta në mbledhjet e KQZ-së nga përfaqësuesit e Vetëvendosjes aty, e nga jashtë duke e linçuar përmes aktivistëve të dhunshëm nëpër rrjete sociale. Kjo flet më së miri për dhunën politike që ka nisur ta ushtrojë qeveria e Albin Kurtit nëpërmjet presidentes Vjosa Osmani për goditjen e institucioneve të pavarura dhe për kapjen e tyre nga mbesat dhe nipërit e pushtetit të Vetëvendosjes”, tha Deliu-Kodra.
Ajo tha se skenari i kapjes së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga ana e Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit ka filluar para disa javësh kur presidentja e njëanshme Vjosa Osmani nuk ka dekretuar emërimin e anëtarit të dytë të PDK-së në KQZ dhe atij të koalicionit VAKAT, duke synuar zëvendësimin e tyre me përfaqësues të pushtetit.M.D/arbresh.info/
Konfiskohen mbi 250 kg duhan në Prishtinë
Parlamenti i Shqipërisë miraton buxhetin 2026 me 81 vota pro
Modriç: Milani ishte ëndrra ime e fëmijërisë
Shtyhet për 22 dhjetor seanca ndaj të akuzuarve për vrasjen ...
Një person vdes në aksidentin mes një veture dhe kamioni në ...
Merr veturën me qira dhe zhduket, arrestohet i dyshuari