Katër vjet dështim, drejtësia e pafuqishme përball Ukë Rugovës e të tjerëve

08:17 | 12 Dhjetor 2020
A Z

Për shkak të pandemisë COVID-19, janë anuluar dy seancat e parapara të mbahen me 4 gusht të këtij viti në Gjykatën Themelore në Prishtinë, për rastin e njohur si “Vizat italiane”, i cili rast është duke u gjykuar në dy pjesë nga kjo gjykatë.

Ndërkaq, seanca që ishte paraparë të mbahej me 4 gusht në procedurën e veçuar ndaj ish-deputetit Ukë Rugova, ish-ministrit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Astrit Haraqija dhe tre personave të tjerë, të akuzuar për krim të organizuar lidhur me vizat italiane, ka dështuar, shkruan arbresh.info.

Kurse, seanca tjetër ishte paraparë të mbahej ndaj të akuzuarve tjerë, Fitim Beqiri, Azad Beqiraj, Liridona Beqiri, Kujtim Avdyli, Ragip Gashi, Visar Beqiri, Hamza Beqiri, Azem Koskoviku, Edison Idrizaj, Beg Shaqiri, Hasan Shaqiri, Dritëro Voca, Valon Selimi, Fadil Ahmeti dhe Haxhi Islami.

Në këtë rast, Ukë Rugova, Astrit Haraqija e tre të akuzuarit tjerë janë duke u gjykuar ndaras, pas vendimit të gjykatëses Naime Krasniqi-Jashanica për veçim të procedurës ndaj tyre.

Zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi, për arbresh.info ka thënë se gjyqtarja e kësaj lënde e ka pranuar lëndën në tetor të këtij viti, por ne muajin nëntor ka rezultuar pozitiv me Covid-19.

“Gjyqtarja aktuale e kësaj çështje këtë lëndë e ka pranuar në muajin tetor 2020, e njëjta gjyqtare në gjysmën e muajit nëntor 2020 ka rezultuar pozitiv me Covid 19”, ka thënë zëdhënësja e Gjykatës Themelore, Mirlinda Gashi.

Por sipas nenit 311 par.3 të Kodit Procedurës Penale, parashihet që kur shtyrja ka zgjatur më shumë se tre (3) muaj ose kur shqyrtimi gjyqësor mbahet para një kryetari tjetër të trupit gjykues, shqyrtimi gjyqësor duhet të fillojë rishtas dhe përsëri të shqyrtohen të gjitha provat.

“Konform nenit 311 par.3 të Kodit Procedurës Penale, parashihet “Kur shtyrja ka zgjatur më shumë se tre (3) muaj ose kur shqyrtimi gjyqësor mbahet para një kryetari tjetër të trupit gjykues, shqyrtimi gjyqësor duhet të fillojë rishtas dhe përsëri të shqyrtohen të gjitha provat”, që do të thotë se shqyrtimi gjyqësor në këtë rast do të filloj rishtazi”, thuhet në përgjigje.

Ndër të tjera, ajo ka thënë se gjykimi në këtë rast do të vazhdojë sapo të plotësohen kushtet për një gjë të tillë.

“Ju njoftojmë se gjykimi në këtë rast do të vazhdojë sapo të plotësohen kushtet për një gjë të tillë, pasi që siç dihet numri i rasteve me Covid 19 është shumë i lartë dhe kjo ka ndikim direkt në vonesa për caktimin e kësaj lënde në një afat të afërt”, ka shtuar Gashi.

Bëjmë të ditur se aktakuza që ishte përpiluar nga prokurori Allen Cansick, thekson se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka pranuar nga Prokuroria Italiane në Romë një kopje të dosjes së tyre lidhur me vizat ku përfshihet edhe emri i ish–ambasadorit Italian në Kosovë, Michael Giffoni.

Ndryshe, të pafajshëm ishin deklaruar edhe në seancën e mbajtur më 11 janar të vitit 2017.

Aktakuza e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), e ngritur më 16 maj të vitit 2016, e ngarkon Ukë Rugovën se gjatë periudhës maj 2011 deri në shkurt 2014 ka menaxhuar një grupi kriminal duke furnizuar individë me viza Shengen të BE-së, nga Ambasada Italiane në Prishtinë.

Sipas aktakuzës plot 556 viza Schengen ishin marrë nga Ambasada e Italisë në Prishtinë në lidhje me aktivitetet e grupit.

Të gjitha këto viza supozohet se janë marrë në mënyrë të paligjshme nëpërmjet shtrembërimit apo korrupsionit.

Dispozitivi tjetër i aktakuzës ngarkon Rugovën edhe për veprën penale posedim i paautorizuar i armëve, ku në rezidencën e tij janë gjetur një pistoletë dhe dy karikator.

Prokuroria pretendon se ky grup, siç e cilëson kriminal, kishte për qëllim sigurimin e përfitimit material në atë mënyrë që qytetarët të pajisen me viza Shengen nga Ambasada Italiane në Prishtinë.

Të akuzuarit e këtij rasti janë deklaruar të pafajshëm duke mohuar pretendimet e Prokurorisë./E.Ballazhi/Arbresh.info

 

 

 

Të ngjashme