Ja çfarë deklaronte Kossnet për termocentralin “Kosova e Re”

19:29 | 17 Mars 2020
Arditë Shkodra

Kompania Countour Global ka thënë se do të tërhiqet nga planet për ndërtimin e Termocentralit Kosova e Re me 500 megavatë.

Sipas një njoftimi për media nga kjo kompani, arsye për tërheqjen janë edhe ndryshimet politike që kanë ndodhur në Kosovë.

“Projekti Kosova e Re nuk mund të ecë përpara. Situata politike në Kosovë që nga korriku, formimi i një qeverie të udhëhequr nga një kryeministër që e kundërshtoi publikisht projektin dhe mosveprimi i qeverisë e kanë bërë të pamundur që projekti t’i përmbushë detyrimet e kërkuara”, thuhet në një njoftim për media nga Contour Global, shkruan arbresh.info

“Siç kemi thënë në të kaluarën, Kosova duhej të ishte projekti ynë i fundit me qymyr. Ne nuk do të zhvillojmë termocentrale qymyri në të ardhmen”, tha po ashtu Contour Global.

Kjo marrëveshje ishte nënshkruar nga Qeveria e Kosovës në fund të vitit 2017, marrëveshje kjo që do të kushtonte 1.3 miliardë euro.

Sipas raporteve të atëhershme të USAID, bizneset në Kosovë humbin rreth 415 milion dollarë në vit për shkak të furnizimit jo të rregullt me energji elektrike. E këto deklarata i pat konfirmuar edhe ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Philip Kossnet.

Ai kishte thënë se ky termocentral do të bënte revolucion në ekonominë e Kosovës.

“Termocentrali 1.4 miliardësh do bëjë ‘revolucion’ në ekonominë e Kosovës’”, kishte thënë Kosnett në fjalimin e tij në Senatin Amerikan pak para ardhjes së tij në Kosovë.

Kujtojmë se Termocentrali Kosova e Re ishte paraparë të fillojë së ndërtuari këtë vit, ndërsa të vihet në punë në vitin 2023./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale