Përafërsisht gjysmë milion euro i ka kushtuar Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës finalizimi i projektit për Fjalorin Enciklopedik të Kosovës.
Që nga viti 2011 e deri në botimin e tij, për përpilimin e këtij projekti janë angazhuar njerëz të fushave dhe profileve të ndryshme.
Ky fjalor enciklopedik ndahet në dy vëllime me 1,818 faqe, janë përfshirë tekstet e rreth 6,000 zërave, të hartuar nga 506 autorë, një vepër kolektive e hartuar nga profesorë universiteti, shkrimtarë, publicistë, artistë dhe ekspertë të fushave të ndryshme të shkencës dhe të dijes: gjeografi, histori, ekonomi, shkenca politike dhe juridike, albanologji, arkeologji, shkenca sociale, mjekësi, shkenca të natyrës dhe shkenca teknike, letërsi, informim, muzikë, arte figurative dhe arte skenike, sport dhe trashëgimi kulturore, sepse sintetizon dijet shkencore për Kosovën, duke filluar nga gjeografia e historia, e deri te ekonomia, arsimi, kultura, artet, informimi etj.
Gjatë afërisht shtatë vjetëve sa i është dashur ASHAK për ta përmbyllur projektin e nisur në 2011, para të majme janë dhënë edhe për këshillin bashkërendues, bordin dhe redaksinë qendrore, të përbëra nga akademikë, anëtarë të ASHAK-ut, ka thënë për arbresh.info akademiku dhe kryeredaktori i Fjalorit Enciklopedik të Kosovës, Mehmet Kraja.
“Duke qenë vepra e parë enciklopedike te ne, është e natyrshme qe aty-këtu të vërehet ndonjë e metë, por kjo nuk e zbeh rëndësinë e kësaj vepre. Kritikat që janë shqiptuar në drejtim të këtij Fjalori kryesisht nuk janë mbështetur te gabimet, por kanë pasur të bëjnë me animozitetet rreth Akademisë, pastaj me teket e individëve dhe, natyrisht, me pakënaqësitë e ndryshme. Një fjalor enciklopedik nuk mund të përfshijë, ta zëmë, të gjithë gazetarët, disa prej të cilëve u ndien të anashkaluar dhe prandaj orkestruan një fushatë kundër tij. Më anë tjetër, dija e kodifikuar që bëhet lëndë e secilit fjalor nuk i shkruan zërat, përfshirë edhe biografitë, sipas dëshirave vulgare të secilit. Biografitë, të cilat janë shkaku kryesor i pakënaqësive (Fjalori nuk përmban vetëm biografi) deri më tani kanë qenë “autodafne” pra autobiografi të hiperbolizuara dhe jashtëzakonisht subjektive. Fjalor nuk ka ndjekur këtë rrugë. Biografitë në Fjalor synojnë të përfshijnë të dhëna të verifikuara”, është shprehur Kraja.
Mehmet Kraja, po ashtu është shprehur se ky fjalor nuk ka gabime dhe do të digjitalizohet, sepse kjo është kërkesë e kohës dhe shprehet se së bashku me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, të hartojë Enciklopedinë Shqiptare.
“Pra, përkundër zhurmës, Fjalori nuk ka shumë gabime, madje janë minimale për një botim të këtillë. Sipas rregullës së përgjithshme, në botime të këtilla të dhënat përditësohen dhe vit pas viti nxirren ribotime të plotësuara, me korrigjimet përkatëse. Kjo do të ndodhë edhe me Fjalorin Enciklopedik të Kosovës. Më anë tjetër, Fjalori do të digjitalizohet, sepse kjo është kërkesë e kohës. Kur? Nuk e them dot. Sapo të krijohen kushtet dhe sapo Akademia të jetë e gatshme për këtë ndërmarrje të re. Akademisë, meqë e kemi fjalën, i mbetet edhe një punë tjetër kapitale: bashkë me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, të hartojë Enciklopedinë Shqiptare”, ka thënë më tutje Kraja për arbresh.info.
Ky fjalor enciklopedik Sipas pasqyrave financiare të ASHAK-ut, në përgjithësi ka kushtuar 479,143.85 euro, ndërsa paratë për këtë projekt janë marrë nga buxheti i ASHAK-ut për mallra dhe shërbime.
Vetëm për redaksinë qendrore të projektit për enciklopedinë janë paguar 85,786.50 euro, për bordin janë paguar 45,480. 00 euro, ndërsa për këshilli e enciklopedisë janë paguar 22,100.00 euro.
Për redaktorët e enciklopedisë janë paguar 59,065. 00 euro, ndërkaq anëtarët e redaksisë së fushave i kanë kushtuar ASHAK-ut 35 mijë euro.
Për hartuesit e zërave janë paguar 111,307. 40 euro, lekturimi 8,809.76 euro; dizajni 1,966.50 euro, kurse faqosja 427.50 euro./E.Ballazhi/arbresh.info/
Karateistja Vlera Qerimi afër medaljes së bronztë në Stambol...
Bisedimet e paqes Ukrainë-Rusi vijojnë javën e ardhshme
11 policë të lënduar e 23 të arrestuar nga protesta e PD’së ...
Reshje lokale shiu, pritet të ketë edhe intervale me diell –...
Gjermania arreston një person nën dyshimin se po planifikont...
Për çfarë flet filmi “Sinners” që mori më së shu...