9 gazetarët e Dhomës së lajmeve të RKS-së të apostrofuar një ditë më parë nëpër media, ata përmes një letre kanë shprehur shqetësimin e tyre në lidhje me lajmet që u plotsuan për situaten e krijuat në RTK.
Ata thonë se e kanë parë me shqetësim daljen në media të këtyre zhvillimeve sidomos reagimin e menaxhmetit të RTK-së përkitazi me këtë situatë.
Më poshtë mund ta lexoni letren e plotë:
Ne, 9 gazetarët e Dhomës së Lajmeve të RTK-së (Ardita Sylejmani, Arton Mulliqi, Fazli Veliu, Gentiana Kelmendi, Jehona Zhitia, Leonora Berbatovci, Valjeta Kosumi, Visar Krasniqi dhe Zenel Hajrizi) , të apostrofuar një ditë më parë nëpër media, po iu drejtohemi me këtë e-mail, për të shprehur shqetësimin tonë në lidhje me lajmet që u plasuan për situatën e krijuar në RTK.
Si pjesë e Dhomës së Lajmeve e kemi parë me shqetësim daljen në media të këtyre zhvillimeve, sidomos reagimin e menaxhmentit të RTK-së përkitazi me këtë situatë. (Në fakt disa pjesëtarë të menxhmentit na kanë paralajmëruar se kjo letër, e që nuk është e vetmja, mund të dalë në media).
Fillimisht ju sqarojmë se këtë problem, tash e më shumë se dy muaj kemi qenë dhe jemi të interesuar ta zgjidhim brenda institucionit ku ne punojmë. Në këtë kuadër edhe kemi shprehur shqetësimet tona brenda mekanizmave institucionalë të RTK-së. Dalja në media e këtij problemi është bërë me qëllim të keq, për të na linçuar, etiketuar, frikësuar e shantazhuar publikisht, duke na quajtur si “të pakënaqur”, e madje nga disa media duke u cilesuar “puçistë”.
Meqë ky problem ka rrjedhur në publik në formë gjysmake, pa dëshirën tonë dhe jo nga ne, e konsiderojmë jo profesionale edhe qasjen e kolegëve tanë gazetarë të disa mediave, të cilët nuk e kanë marrë mundin për asnjë moment që të na kontaktojnë edhe neve dhe të marrin edhe mendimin tonë për këtë çështje, parim bazë ky i profesionit tonë.
Por, kjo nuk na habitë shumë, pasi që edhe institucioni ku ne punojmë (RTK), në Edicionin Qendror të lajmeve të orës 19 e 30 të së njëjtës ditë (dt.10.08.2019), ka dhënë lajmin e plasuar fillimisht nga portalet, e pastaj edhe reagimin e menaxhmentit dhe reagimin e pjesshëm të njërës nga sindikatat e RTK-së, pa na pyetur edhe neve si palë e etiketuar. Një gjë të tillë, RTK-ja e ka pasur fare të lehtë, pasi që 5 nga 9 gazetarët e etiketuar nga Drejtori Gjeneral i RTK-së si të ndikuar dhe me agjenda politike, e kanë realizuar në pjesën më të madhe Edicionin e Lajmeve të datës 10 gusht 2019. Pra, pjesa më e madhe e gazetarëve të etiketuar atë ditë, kanë qenë në punë në Dhomën e Lajmeve duke realizuar kronikat për Lajmet Qendrore.
Etiketimet e Drejtorit Gjeneral të RTK-së, Ngadhnjim Kastrati, dhe vartësve të tij, për gjoja agjenda politike, janë të paqëndrueshme dhe të pabaza. Menaxhmenti nuk ka ofruar asnjë fakt, i cili i dëshmon pretendimet e tyre. Për më tepër këto e dëmtojnë rëndë integritetin tonë personal e profesional, e po ashtu edhe pavarësinë editoriale të RTK-së. Ne nuk jemi e as nuk pranojmë të jemi pjesë e agjendave politike.
Pakënaqësia jonë ka vetëm një qëllim, të ndalet diskriminimi i vazhdueshëm në Dhomën e Lajmeve, i cili ka ndodhur si rezultat i mosgatishmërisë së Menaxhmentit për t’i trajtuar ankesat tona të vazhdueshme, e që nuk ndërlidhen vetëm me avancime, por edhe me trajtimin e pabarabartë në rastet sikurse është edhe selektimi i vetëm disa gazetarëve për të përcjellë agjendat e krerëve të institucioneve në udhëtimet zyrtare jashtë vendit.
Gjithësesi, duam t’ju sqarojmë se në asnjë moment nuk mund të konsiderohet ndikim politik kur 9 gazetarët e Dhomës se Lajmeve kërkojnë të trajtohen me dinjitet, siç e garantojnë rregulloret e brendshme të RTK-së, ligjet në fuqi dhe veçanërisht Ligji kundër diskriminimit si dhe Ligji për mbrojtjen e sinjalizuesve.
Prandaj, reagimin e djeshëm publik të Menaxhmentit të RTK-së karshi shqetësimeve tona, ne e kuptojmë si gjuhë kërcënuese e linçuese.
Të gjitha shqetësimet tona për këtë problem, i kemi adresuar me kohë te Menaxhmenti dhe Bordi i RTK-së, si organ mbikqyrës, në përpjekje për të gjetur një zgjidhje. Me kohë u kemi kërkuar që të ndalet diskriminimi brenda llojit.
Reagimi i Drejtorit Gjeneral, në esencë përmban, përveç etiketimeve, edhe shumë pasaktësi. Ai thotë se “9 gazetarët kanë refuzuar avancimet e risistemimet që i kërkuan vet”.
Ne kemi kërkuar të na bëhet vlerësimi i punës, sipas rregulloreve të RTK-së, gjë që nuk është bërë për disa vite radhazi. Eprori ynë i ka bërë vlerësimet bashkë me rekomandimet për avancim dhe ato i kemi nënshkruar. Ato vlerësime me rekomandime që tani gjenden nëpër sirtarë të Menaxhmentit, janë hedhur poshtë nga vet menaxhmenti. Pra, bëhet fjalë për vlerësimet e punës për vitin 2018, e të cilat përmbajnë edhe rekomandimet për avancimet me të cilat jemi pajtuar me eprorin tonë, u.d së kryeredaktorit.
Përkundrazi, nga shërbimi i administratës së RTK-së, na janë dërguar ftesat që deri me dt. 13.08.2019 në orën 16.00, të lajmërohemi për t’i nënshkruar kontratat e reja (sipas administratës, të obligueshme). Për më shumë, këto kontrata të hartuara, nuk janë në përputhje me rregulloret e brendshme, duke qenë se bien ndesh me rekomandimet për avancim, të nënshkruara nga ne.
Duke na larguar neve dhunshëm dhe duke mos shprehur gatishmëri për ta zgjidhur problemin tonë, Menaxhmenti i RTK-së, po e përgatitë terrenin për prurje të reja në Dhomën e Lajmeve. Kemi informacione, të cilat ia kemi bërë të ditura edhe Menaxhmentit edhe Bordit të RTK-së, se zëvendësimi ynë në Dhomën e Lajmeve po tentohet të bëhet përmes sjelljes së gazetarëve të rinj nga mediat tjera pa konkurs.
Ne gjithsesi do t’i ndjekim të gjitha rrugët ligjore për realizimin e të drejtave tona. Ndërsa kolegëve gazetarë nga mediat tjera, u bëjmë thirrje që të raportojnë në mënyrë profesionale, sidomos në rastet kur bëhet fjalë për shkeljen e të drejtave të kolegëve gazetarë, sikur në rastin tonë. Etiketimet politike dhe transmetimi i tyre në mënyrë të njëanshme, nuk na bëjnë nderë asnjërit prej neve si gazetarë.
Prishtinë, 11 gusht 2019
OVL UÇK mbështet marshin “Drejtësi, jo politikë!” më 17 shku...
Flamengo këmbëngul për rikthimin e Lucas Paqueta
Licenca e NIS-it për operim zgjatet sërish nga SHBA-ja
INSTAT: Mbi 12.4 milionë vizitorë të huaj gjatë vitit 2025 n...
Samiti Itali-Gjermani: Meloni dhe Merz nxisin një Evropë aut...
Zbulohet plani prej 800 miliardë dollarësh SHBA-BE për Ukrai...