Ministrja e Drejtësisë në Shqipëri, Etilda Gjonaj, përmes një prononcimi për mediat të martën në Tiranë, vuri në dyshim dhe kërkoi përgënjeshtrimin e kronikës së botuar një ditë më parë nga Zëri i Amerikës lidhur me ndikimet e politikës për emërimet në administratë.
Zëri i Amerikës i qëndron raportimit të tij, i cili është i bazuar mbi faktet që burojnë nga një dosje hetimore me përgjime të një ish zyrtari të lartë të shtetit, aktualisht nën hetime për korrupsion. Në komunikimet e tij me funksionarë shtetërorë dhe deputetë, ish-drejtori i burgjeve u përgjigjet kërkesave dhe interesimit të tyre për të marrë në punë persona të caktuar, apo për të sistemuar të tjerë në vende të tjera pune.
Zëri i Amerikës, ka konfirmuar kryerjen e bisedave edhe me zyrtarët që dalin në përgjime. Ndonëse në përgjigjet e tyre ata e justifikojnë arsyen e marrjes në telefon të drejtorit të burgjeve, kushdo mund t’i shohë e t’i lexojë përgjimet dhe të nxjerrë konkluzionet përkatëse nga konteksti i tyre, nëse bëhet fjalë për një proces etik, profesional dhe të rregullt të marrjes në punë, apo nëse ato janë vetëm një provë e asaj që besohet gjerësisht se në Shqipëri ngritja e një administrate profesioniste është ende një sfidë e vështirë, për shkak edhe të ndërhyrjeve të tepruara të politikës.
Në vetë daljen e saj zonja Gjonaj konfirmon ato që janë thënë në bisedat e përgjuara, se Kryeministri e kishte bllokuar përkohësisht listën. Fakti, që siç u shpreh zonja Gjonaj, Kryeministri ka bllokuar “jo listën e konkurrimeve, por listën e ndërhyrjeve”, provon pikërisht problemin që ngre raporti i Zërit të Amerikës, ekzistencën e ndërhyrjeve të shumta.
Siç vihet në dukje në kronikë, në mars të vitit 2018, Komisioneri për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil, në raportin që i dorëzoi Kuvendit, një e treta e punësimeve në administratë bëhen me urdhër titullari dhe jashtë procedurave të ligjit./VOA/
8 Marsi – shënohet Dita Ndërkombëtare e Gruas
Verifikohet respektimi i afatit tremujor për veturat me targ...
Irani shkatërron sistemin kryesor të radarëve mbrojtës të SH...
Moti sot me diell, temperatura arrin në 16 gradë
Trepça fiton dramën ndaj Vëllaznimit, triumfon në çastet e f...
Parashikimi i motit për nesër