Thaçi: T’i bindim skeptikët për formimin e ushtrisë

16:30 | 13 Shtator 2018
M. A.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka kritikuar liderët shtetëror për siç thotë ai vonimin e transformimit të Forcës së Sigurisë në Forca të Armatosura të Kosovës.

Presidenti Thaçi përmes një statusi në llogarinë e tij në Facebook ka thënë se ai ka qenë vazhdimisht i qëndrueshëm në këtë pikë.

Ai po ashtu ka thënë se edhe aleatët e vendit e dinë që ky proces duhet të përmbyllet pa vonesa.

Postimi i plotë i Thaçit:

Për shkak të interesave të ngushta, ndonjëherë elektorale dhe ndonjëherë tjetër ideologjike, lidershipi në Kosovë e ka vonuar transformimin e Forcës së Sigurisë në Forca të Armatosura të Kosovës. Unë vazhdimisht kam qenë konsistent në këtë pikë. Kosova duhet ta ketë ushtrinë e saj. Me iniciativën time si president, kemi ndërmarrë një fushatë vetëdijesimi, brenda dhe jashtë Kosovës, për të sensibilizuar miqtë tanë për rëndësinë e këtij procesi. Aleatët tanë e dinë që ky proces duhet të përmbyllet pa vonesa.

Po ashtu, e kemi bërë të qartë që askush, asnjë faktor i jashtëm, nuk mund të ketë veto në shtetndërtimin tonë. Dua t’ua largoj çdo dilemë: jam pro transformimit të Forcës së Sigurisë në Forca të Armatosura të Kosovës. Ushtria e Kosovës nuk është kërcënim për rajonin. Përkundrazi, do të jetë në shërbim të ruajtjes së paqes, sigurisë shtetërore, rajonale dhe globale. Prandaj, në këtë pikë, institucionet e Kosovës flasin me një zë dhe kemi një qëndrim.

Ligji i miratuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës duhet të procedohet edhe në Kuvend dhe periudha deri në miratimin e tij duhet të shfrytëzohet nga të gjithë ne për t’i bindur skeptikët e mbetur të këtij procesi. Jam i bindur se në koordinim të plotë me SHBA-në dhe aleatët tanë në NATO do ta përmbyllim këtë proces të vonuar, por jetik për Kosovën. HTH

Shpërndaje në rrjete sociale