Presidenti Thaçi: Mirënjohje për familjen Pacolli që po investon në Kosovë

12:48 | 6 Shtator 2018
M. A.

Është bërë hapja solemne e fabrikës më moderne të xhamit në Kosovë.  Gjiganti M-Technologie pjesë e Mabetex Group, ka bërë investimin e radhës në Kosovë, në industrinë e xhamit, shkruan arbresh.info.

Hapjen e kësaj fabrike e ka bërë zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Behgjet Pacolli, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj.

Presidenti Thaçi në një fjalë rasit para të pranishmëve tha se ky investim tregon se Kosova ka krijuar kushte për biznes duke falënderuar Behgjet Pacollin për investimet e mëdha që po i bën në Kosovë.

“Sot për Kosovën është një ditë e veçantë bëhet lansimi i këtij projekti më cilësor jo vetëm në Kosovë por edhe në Rajon, ky investim tregon se Kosova e re ka krijuar kushte për biznes por edhe vende të reja punë që keni krijuar ju zotëri Pacolli. Ndihem mirë që institucionet kanë krijuar kushte për këtë projekt. Prandaj shprehi mirënjohje për familjen Pacolli e cila po investon në Kosovë”, tha presidenti Thaçi.

 

Rreth 10 milionë euro janë investuar në fabrikën e re që u hap sot, në Lebanë, Prishtinë.

Fabrika e re do të bëjë përpunimin e të gjitha llojeve të xhamit, me teknologjinë e fundit, e cila përveç mbulimit të nevojave të tregut vendor, do të zgjerohet edhe në tregjet evropiane./Arbresh.info/

 

Shpërndaje në rrjete sociale