Për çdo muaj, listës së veteranëve u janë shtuar së paku 100 persona. Tani benefite si veteranë marrin rreth 37 mijë e 771 persona. Prej vitit 2015, kur edhe filluan të ndaheshin këto pensione, nga buxheti i shtetit janë shpenzuar afër 120 milionë euro, shkruan Gazeta Express
Disa e dhanë jetën duke luftuar, e të tjerë as që e prekën pushkën me dorë. Por, pas përfundimit të luftës të gjithë u barazuan dhe u thirrën në emër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Tani, pensione në emër të veteranit marrin edhe ata që ikën jashtë vendit gjatë kohës së luftës e nuk luftuan kurrë, shkruan Gazeta Express.
Për çdo muaj, listat e veteranëve u frynë për së paku 100 persona. Ka edhe raste kur numri i tyre u rrit për mbi 300 veteranë.
Vetëm në muajin prill, listës së përfituesve së pensioneve të veteranëve u janë shtuar më shumë se 350 persona. Prej 37 mijë e 44 personave sa merrnin pensione në muajin mars të këtij viti, në prill në listën e përfituesve figurojnë 37 mijë e 395 persona.
Listat e veteranëve u frynë për mijëra persona me kalimin e viteve. Në vitin 2015, kur edhe filluan të ndaheshin këto pensione, përfitues kanë qenë 13 mijë e 442 veteranë. Deri në gusht të vitit 2018 kjo shifër ka shkuar në 37 mijë e 771 veteranë.
Të gjithë këta veteranë e rënduan buxhetin e shtetit për miliona euro. Për tri vite vetëm për pensione të veteranëve janë shpenzuar afër 120 milionë euro nga kuleta e shtetit.
“Për pensione të veteranëve në vitin 2015 janë ndarë 5 milionë e 418 mijë e 113 euro, në 2016 janë ndarë 47 milionë e 864 mijë e 133 euro dhe në 2017-ën, shuma e parave që janë ndarë për veteranë është 65 milionë e 854 mijë e 654 euro”, thuhet në statistikat e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale që ka siguruar Gazeta Express.
Por, jo vetëm për veteranë janë ndarë gjithë këto para. Përfitues të pensioneve janë edhe familjet e veteranëve. Të gjithë këta, bankave u drejtohen ditën e 24-të të çdo muaji. Në po këtë ditë, atyre u dalin pensionet, ani pse ka përjashtime.
“Pensionet për të gjitha kategoritë dalin më datë 24 të çdo muaji , përveç në rast se data 24 është vikend apo është festë pensionet dalin para datës 24”, ka thënë Kryesuesja e Divizionit të Pagesave, Hajrie Pajaziti për Express.
Megjithëse edhe zyrtarë shtetërorë e prokurorë kanë deklaruar disa herë se listat e veteranëve janë fryrë, askush deri më tani nuk pati guximin që t’i nxjerrë para drejtësisë përgjegjësit.
Madje, edhe Prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Elez Blakaj, i cili ishte duke i hetuar këto lista, dha dorëheqje të mërkurën. Në media u raportua se një nga arsyet pse Prokurori Blakaj dha dorëheqje ishin kërcënimet që kishte marrë për këtë lëndë, ndonëse prokurori në letrën lamtumirëse nuk përmend diçka të tillë.
Se listat e veteranëve janë fryrë është në dijeni edhe Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi.
Sipas Lumezit, janë 19 mijë persona që jashtëligjshëm kanë fituar statusin e veteranit dhe marrin benefite nga shteti.
Ndryshe, për rritjen e numrit të veteranëve kishin reaguar edhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar.
Shefi i Fondit Monetar Ndërkombëtar, Ruud Vermeulen kishte thënë se pa një riklasifikim, sipas Ligjit të amendamentuar për Veteranët e Luftës dhe pa verifikimin e përfituesve shpenzimet do të rriten dhe do t’i tejkalojnë alokimet buxhetore prej 20 milionë eurosh.
“Në të vërtetë numri i përfituesve të skemës së pensioneve të veteranëve të luftës vazhdon të rritet përtej çdo pritjeje. Tani flasim për 37.000 përfitues kundrejt vlerësimeve fillestare prej më pak se një e treta e asaj në vitin 2015. Kjo është pothuajse 9.000 më shumë se vetëm një vit më parë.
Pa një riklasifikim, sipas Ligjit të amandamentuar për Veteranët e Luftës, si dhe pa verifikimin e përfituesve, shpenzimet do të rriten dhe do t’i tejkalojnë alokimet buxhetore prej së paku 20 milionë eurosh, duke sjellë shpenzime në 1,2 për qind të GDP-së ose ½ për qind mbi tavanin 0,7 për qind të GDP-së, që do të hyjë në fuqi sapo riklasifikimi të përfundojë”, kishte thënë Vermeulen. /Gazeta Express/
Falja e Namazit të Kurban Bajramit në Bulevardin “Dëshmorët ...
Presidenti Begaj uron Bajramin: Më shumë mirësi dhe gëzime n...
Bildt: Asnjë lider europian nuk ka guxuar t’ia paraqesë në m...
“Rroga po ju ec”, momenti kur Tërnava ngacmon Kurtin për ngë...
Tentim vrasje në Skenderaj, theret me thikë një person
Abdixhiku: Kurban Bajrami, festë e sakrificës dhe devotshmër...