Përmirësohet bilanci tregtar në fushën e shërbimeve

10:15 | 15 Tetor 2017

Barometri i Ballkanit 2017 i publikuar ditë më parë e ka radhitur Kosovën si vendin që eksporton më së shumti shërbime në Ballkan prej rreth 134 për qind, derisa më 56 për qind të eksportit të mallrave.

Për njohësit e ekonomisë këto shifra vlerësohen se kanë shënuar rritje, por pavarësisht kësaj thonë se nuk është paraqitur i gjithë potenciali që ka Kosova.
Drejtori ekzekutiv i Qendrës Kosovare të Inovacionit, Uranik Begu ka thënë për arbresh.info se shifrat që janë publikuar për Kosovën ndoshta nuk paraqesin të gjithë potencialin e shërbimeve.

Ai madje ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të marrë më seriozisht investimet në sektorin e shërbimeve.

“Për mua nuk është befasi për shkak se unë besoj se statistikisht ndoshta nuk paraqitet krejt potenciali që ne e kemi në aspektin e eksportit të shërbimeve për shkak se kemi shumë më shumë njerëz që ofrojnë shërbime por edhe punojnë si freelancer do të thotë si individ që punojnë prej shtëpie por jo si kompani të regjistruara dhe besoj është një sinjal të cilin Qeveria e Kosovës duhet me marr shumë seriozisht për me investu më shumë në sektorin e shërbimeve dhe në krijimin e mundësive sidomos për të rinjtë që me ofru shërbime të eksportit për jashtë”, ka thënë ai.

Ndërsa profesori i ekonomisë, Naim Gashi është shprehur se përqindja në fushën e shërbimeve është rritur për shkak se shumë shërbime për partnerët kontraktualë kryhen nga Kosova

“Shërbime të shumta për partnerët kontraktualë kryhen nga Kosova dhe kjo ka bërë që të përmirësohet bilanci tregtar me botën e jashtme në fushën e shërbimeve. Fusha ku më së shumti dominojnë kompanitë kosovare janë në fushën e “call centre”, mandej fusha e IT-së, dizajnit, programimit etj”, ka thënë Gashi për arbresh.info.

Sipas tij, për dallim nga prodhimi, sektori i shërbimeve është shumë më i zhvilluar dhe bilanci tregtar është pozitiv.
Barometri i Ballkanit 2017 ofron të dhënat e mbledhura dhe të analizuara në një sërë fushash tematike dhe paraqet përceptimin aktual për aspiratat dhe pritjet e popullsisë dhe komunitetit biznesor të Evropës Jug-Lindore për jetën, tregun e punës, trendet socio-ekonomike dhe politike si dhe integrimin evropian./J.Zhuniqi/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara