Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan, sinjalizoi të hënën se vendi i tij nuk është gati të ratifikojë anëtarësimin e Suedisë në NATO, duke thënë se Stokholmi duhet të bëjë më shumë në “detyrat e shtëpisë” që duhet të kryejë.
Duke folur pas një takimi të kabinetit, zoti Erdogan përsëriti dënimin ndaj djegies së Kuranit në Suedi javën e kaluar, duke e cilësuar veprimin si një krim urrejtjeje kundër muslimanëve.
“Ne e kemi bërë të qartë se lufta e vendosur kundër organizatave terroriste dhe islamofobisë janë vija jonë e kuqe”, tha zoti Erdogan. “Të gjithë duhet ta pranojnë se miqësia e Turqisë nuk mund të fitohet duke mbështetur terrorizmin apo duke u krijuar hapësirë terroristëve”.
Turqia ka shtyrë dhënien e miratimit përfundimtar për anëtarësimin e Suedisë në NATO, duke e akuzuar Stokholmin se është shumë i butë ndaj demonstratave dhe grupeve anti-islamike që Ankaraja i konsideron si kërcënim për sigurinë.
Bëhet fjalë për grupe militante kurde që për disa dekada kanë zhvilluar një kryengritje vdekjeprurëse në Turqi. Partia e Punëtorëve të Kurdistanit, PKK, ka zhvilluar një kryengritje 38-vjeçare kundër Turqisë që ka lënë të vdekur dhjetëra mijëra njerëz. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian e kanë cilësuar PKK-në organizatë terroriste.
NATO-ja dëshiron që Suedia të bëhet anëtare ndërsa afron takimi i udhëheqësve të aleancës në Lituani me 11 dhe 12 korrik. Zoti Erdogan thotë se Stokholmi ka ende detyrime për të përmbushur.
NATO-ja kërkon miratim unanim nga të gjitha vendet anëtare për t’u zgjeruar, ndërsa Turqia dhe Hungaria janë të vetmet që nuk e kanë ratifikuar ende kërkesën e Suedisë.
“Në vend të humbjes së kohës me taktika shpërqendruese, ne besojmë se mbajtja e premtimeve do të jetë një metodë më racionale dhe më e dobishme”, tha zoti Erdogan. “Ne i këshillojmë ata që t’i analizojnë gjërat dhe t’i bëjnë më mirë detyrat e shtëpisë”.
Presidenti Erdogan po i referohej një memorandumi që Suedia dhe Finlanda nënshkruan me Turqinë vitin e kaluar, sipas të cilit ata ranë dakord që t’i trajtonin shqetësimet e Ankarasë. Lufta kundër islamofobisë nuk ishte e përfshirë në memorandum.
Javën e kaluar, policia suedeze lejoi një protestë pranë një xhamie në qendër të Stokholmit duke cituar lirinë e shprehjes, pasi një gjykatë hodhi poshtë vendimin për të ndaluar djegien e Kuranit.
“Sulmi i ulët ndaj librit tonë të shenjtë, Kuranit të Shenjtë, në Stokholm, kryeqyteti i Suedisë, na zemëroi të gjithëve”, tha zoti Erdogan. “Kjo shpërfillje përverse ndaj ndjenjave të 2 miliardë muslimanëve nuk mund të jetë në përputhje me vlerat më themelore njerëzore, apo me lirinë e mendimit”.
Suedia dhe Finlanda braktisën qendrimet e tyre tradicionale të mosangazhimit ushtarak për të kërkuar mbrojtje nën ombrellën e sigurisë së NATO-s, nga frika se mund të vihen në shënjestër nga Moska pasi Rusia sulmoi Ukrainën vitin e kaluar. Finlanda u bë anëtare e aleancës në fillim të këtij viti pasi parlamenti i Turqisë ratifikoi kërkesën e vendit nordik.
Suedia ndryshoi legjislacionin kundër terrorizmit që kur aplikoi për anëtarësim në NATO, por Turqia argumenton se mbështetësit e grupeve militante mund të organizojnë lirisht demonstrata, të rekrutojnë dhe të sigurojnë burime financiare në vend.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, thirri javën e kaluar një takim me zyrtarë të lartë nga Turqia, Suedia dhe Finlanda në përpjekje për të kapërcyer kundërshtimet e Ankarasë ndaj anëtarësimit të Suedisë në aleancën ushtarake. Takimi është caktuar të mbahet më 6 korrik./VOA
Parashikimi i motit për nesër – E diela me shi, pasdite mund...
Pritjet në kufi: Dheu i Bardhë pika më e ngarkuar
Nicolas Maduro sjellet në Nju-Jork
Gjermania mbështet kërkesën për një zgjidhje të qëndrueshme ...
Maduro pritet të paraqitet në gjykatë deri të hënën në mbrëm...
Të shtëna me armë zjarri në Gjakovë, plagoset një vajzë kali...