Liverpooli e kthen me “këmbë në tokë” Manchester Unitedin, e detyron të numërojë deri në 7

19:34 | 5 Mars 2023
Emir Abduramani

Liverpooli ka triumfuar me shumë lehtësi në derbin më të madh anglez ndaj Manchester Unitedit në formë të mirë.

Duke marrë parasysh formën e skuadrave këtë sezon, nuk pritej që “Të Kuqtë” të triumfonin me një spektakël golash, megjithatë, djemtë e Jurgen Klopp u përkujdesën që ta kthejnë me “këmbë në tokë” skuadrën e Erik ten Hag, duke ia numëruar shtatë gola në “Anfield”, pa asnjë pikë problemi.

Seria e golave u hap nga Cody Gakpo, i cili shënoi në minutën e 43-të. Me rezultat minimal u mbyll pjesa e parë, por vendasit shpërthyen në pjesën e dytë.

Në minutën e 47-të shënoi Darwin Nunez, teksa pas tre minutash Gakpo e realizoi golin e dytë personal.

Mohamed Salah e shënoi në minutën e 66-të golin e katërt për Liverpoolin.

Nunez u shfaq sërish në skenë në minutën e 75-të për të realizuar golin e dytë personal.

E golin e dytë personal e shënoi edhe Salah, në minutën e 83-të.

Kjo fitore spektakolare u vulos në minutën e 88-të, me golin e shënuar nga Roberto Firmino.

Liverpooli pas kësaj fitore ka 42 pikë dhe renditet në pozitën e pestë në tabelë, ndërkaq Manchester United mbetet me 49 pikë në pozitën e tretë./arbresh.info

Të ngjashme