Serbi:Politika, burim i pasurimit të shpejtë

16:08 | 5 Shkurt 2016
Arbresh.info

Kalimi i deputetëve nga një parti në tjetrën ka një traditë të gjatë në Serbi – që prej futjes së sistemit shumëpartiak, në fund të viteve ’80-të. Më së shumti kalime ka në nivelin lokal, ku politikanët që kalojnë nga një subjekt politik tek tjetri ndryshojnë edhe rezultatet e zgjedhjeve. Por ka dhe shumë raste kalimesh në nivelin e republikës.
Më së shumti politikanë që kanë qenë në ndonjë parti tjetër ka në Partinë Përparimtare Serbe (SNS), të kryeministrit Aleksandar Vuçiq. Shumë deputetë të kësaj partie (gjithsej 50) kanë qenë më parë në Partinë Radikale Serbe. Tek radikalët kanë qenë edhe vet Vuçiq dhe presidenti i Serbisë Tomisllav Nikoliq. Në SNS ka dhe ish-anëtarë të Partisë Demokratike, Partisë Demokratike të Serbisë, Lëvizjes për Ripërtëritjen Serbe dhe Partisë Socialiste. Kryetarja e parlamentit Maja Gojkoviq ka ndërruar pesë parti politike, raporton DW. Politikanë që ndërrojnë partitë politike nuk kanë bindjet e tyre, thotë profesori i Shkencave politike, Çedomir Çupiq. “Këta persona e shohin politikën si një burim të pasurimit të shpejtë. Nga ana tjetër, këta persona tregojnë një papjekuri, sepse ata nuk kanë ndonjë ideologji të caktuar politike. Por kjo do të thotë se edhe zgjedhësit nuk janë të vetëdijshëm për dallimet dhe nuk janë të arsimuar sa duhet politikisht.“

Shpërndaje në rrjete sociale