VV reagon ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese

17:45 | 21 Shtator 2015
M. A.

Lëviza Vetëvendosje përmes një komunikate për media ka reaguar ndaj vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese për  ankesat që ka adresuar  opozita për Gjykatën Speciale.

Ne reagim thuhet se me përmbajtjen e aktvendimit me të cilin ka vlerësuar si të papranueshme kërkesën e 24 deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, kjo gjykatë ka hequr dorë nga mbrojtja preventive dhe represive të rendit kushtetues

”Sot, Gjykata Kushtetuese edhe njëherë e vërtetoi kapjen strukturore të pushtetit. Me përmbajtjen e aktvendimit me të cilin ka vlerësuar si të papranueshme kërkesën e 24 deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, kjo gjykatë ka hequr dorë nga mbrojtja preventive dhe represive të rendit kushtetues. Një gjykatë e tillë, e cila formalisht konsiderohet si autoriteti përfundimtar për interpretimin e Kushtetutës, e redukton veten brenda kapitullit II mbi të drejtat elementare, e kur e bëri vlerësimin e amendamentit XXIV për themelimin e Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar, tejkaloj pak edhe Kapitullin II për tu marrë edhe me Kapitullin III mbi të drejtat e komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre.

Gjykata Kushtetuese sot e ka shpjeguar natyrën e interpretimit të ardhshëm lidhur me të ashtuquajturin “dekretin e Qeverisë” për themelimin e Zajednicës. Për këtë kur një organ kushtetues i cili ka për detyrim kushtetues vlerësimin e cilitdo akt të Kuvendit i cili krijon pasoja juridike të vlerësoj kushtetutshmërinë e të njëjtit, heq dorë nga vlerësimi i aktit i cili jo vetëm që ndërhyn në sistemin kushtetues siç është amendamenti XXIV, cili do të konstruksioni interpretues për një akt ligjor të cilin e nxjerrë Qeveria.

Për më keq, kjo gjykatë tani e bartë kompetencën juridiko-kushtetuese, të njohur edhe në praktikën dhe teorinë gjyqësore që statusin e lëndëve dhe konstatimin formal të tyre ta bartë në qeveri. Gjykata Kushtetuese sot ia barti kompetencën e vlerësimit të statusit të propozimeve kushtetuese, se kur një çështje ka qenë apo jo e gjykuar. Qeveria sot është sufleri i Gjykatës Kushtetuese, ndërkaq ajo aktruese në një monolog mashtrues”, thuhet në komunikatën e VV.

Shpërndaje në rrjete sociale