VV e quan skandaloze hedhjen poshtë të aktakuzës ndaj ish-zyrtarëve të Ndërmarrjes Publike Banesore në Lakrisht

14:40 | 23 Prill 2025
E.K

Gezim Sveçla, anëtar i Kuvendit të Komunës së Prishtinës nga Lëvizja Vetëvendosje, ka reaguar ashpër ndaj një vendimi të Gjykatës Themelore të Prishtinës që ka shpallur të pavlefshme aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

Sveçla e ka cilësuar këtë vendim si një skandal dhe ka kërkuar nga Prokuroria që të ushtrojë ankesë kundër tij.

Sipas Sveçlës, ky vendim është lidhur me një rast të tjetërsimit të pronës publike në qendër të Prishtinës, konkretisht në Lakrishtë, ku ish-zyrtarët e Ndërmarrjes Publike Banesore kanë lidhur një kontratë të paligjshme me operatorë privatë për tjetërsimin e 17 mijë metrave katrorë të tokës publike.

Sveçla e ka cilësuar këtë akt si një rast të paprecedentë në historinë gjyqësore të Kosovës dhe një rrezik serioz për pasurinë publike, shkruan Arbresh.info

“Do e japim një qëndrim tonin lidhur me një vendim skandaloz të Gjykatës themelore që ka ndodhur dje për të cilën jemi njoftuar përmes mediave bëhet fjalë për rastin e ish zyrtarëve të ndërmarrjes publike banesore ku Gjykata Themelore me një aktvendim ka hedhur poshtë aktakuzën e prokurorisë speciale të Republikës së Kosovës, ju kujtojmë që bëhet fjalë për tjetërsim të pronës publike në qendër të prishtinë në Lakrishtë ku ndërrmarja publike banesore në mënyrë të paligjshme ka lidhur një kontratë me operatorë ekonomik privat për tjetërsimin e 17 mijë metrave katrorë. Është rast i paprecidentë në historinë e praktikës gjyqësore të Kosovës që një rast i një profili të tillë aktakuza hudhet poshtë pa shqyrtim fare. Në këtë rast është evidente se gjykata në këtë aktvendim ka rrezikuar tej masë pronën publike në Prishtinë. Prej këtu i bëjmë apel prokurorisë që të ushtrojë ankesë ndaj këtij vendimi skandaloz”, tha ai.

Sekretari i Qendrës së LVV-së në Prishtinë, Egzon Azemi, deklaroi se bëhet fjalë për rastin më të madh korruptiv në Komunën e Prishtinës, pas të cilit qëndrojnë zyrtarë

“Po flasim për një projekt që vlera e përafërt i llogaritet të jetë rreth 200 milionë euro, vazhdimisht që nga viti 2021 kur e kemi ngritur këtë çështje kemi paralajmëruar se është një projekt jashtëzakonisht gjigant dhe me këtë projekt janë të përfshirë shumë zyrtarë, sepse shuma 200 milionë flet se sa gjigant është ky projekt. Është një projekt korruptiv, ku fatkeqësisht pre e këtij projekti korruptiv po bie edhe sistemi i drejtësisë. Një projekt i tillë normalisht nuk mund të incizohet dhe të nisë pa persona të fuqishëm pas. Ende pa u gjykuar lënda, janë mbajtur vetëm dy seanca dhe pikërisht në këso momente të kaosit politik, pra ende nuk ka formim të institucioneve, tentohet që të kalohet nëpër këtë mjegull dhe të hidhet poshtë një aktakuzë,” tha Azemi.

Ndryshe, Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë ka hedhur poshtë aktakuzën ndaj H.H, L. M, A.J, Xh. L, B. P, D.K, G. Sh. dhe V.M. Në shqyrtimin fillestar të pandehurit ishin deklaruar të pafajshëm përpara trupit gjykues.

Prokuroria Speciale vitin e kaluar kishte ngritur aktakuzë ndaj tetë personave, ish-zyrtarë të Ndërmarrjes Publike Banesore për korrupsion dhe çështja për të cilën Prokuroria thotë se ka dyshim të bazuar mirë se ata e kanë keqpërdorur detyrën zyrtare, lidhet me një objekt afaristo-banesor në lagjen “Lakrishtë.”/Arbresh.info