Qeveria e re e Serbisë, pa ndryshime lidhur me Kosovën

20:54 | 22 Prill 2025
E.G

Formimi i Qeverisë së re të Serbisë ndodhi në një periudhë të polarizimit të thellë politik dhe protestave masive qytetare që po e tronditin vendin. Analistët vlerësojnë se në këtë kontekst nuk mund të pritet asnjë ndryshim domethënës – përfshirë edhe në qasjen ndaj Kosovës – përderisa mungon një plan i qartë dhe konkret për rifillimin e dialogut.

Qeveria e re e Serbisë, e udhëhequr nga mjeku Gjuro Macut, nuk po sjell asnjë ndryshim thelbësor në qasjen ndaj Kosovës. Sipas analistëve, ajo konfirmon vazhdimësinë e politikës së presidentit Aleksandar Vuçiq, një qasje e bazuar në mohimin e realitetit dhe mungesën e vullnetit për dialog të mirëfilltë.

Redaktorja e revistës „Novi Magazin“, Jellka Jovanoviq, thotë për RTK se presidenti Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk kanë zhvilluar asnjë takim që prej më shumë se dy vitesh dhe se nuk ka asnjë paralajmërim për rifillimin e dialogut në një të ardhme të afërt.

“Kosova pothuajse nuk është përmendur fare në ekspozenë e kryeministrit. Nëse një çështje kaq e rëndësishme nuk zë vend në programin e Qeverisë, është e qartë se ajo mbetet nën kompetencën e drejtpërdrejtë të presidentit Vuçiq. Kryeministri ka një rol simbolik”, vlerëson Jovanoviq.

Në programin qeveritar, Kosova përmendet shkurt si “interes kombëtar i lartë”, me theks se Serbia nuk do të pranojë zgjidhje që nuk janë në përputhje me Kushtetutën dhe Rezolutën 1244. “Dialog po – por pa presion. Pa drejtësi nuk ka paqe”, ka deklaruar kryeministri i ri Macut.

Sipas analistëve, kjo qasje ishte e pritshme dhe tregon se qeveria e re nuk ka ambicie të marrë një rol më aktiv në zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Publicisti dhe gazetari Zllatoje Martinov thotë se Serbia është shumë larg një politike realiste kur është fjala për Kosovën.

“Dihet kush e ka fjalën e fundit. Vuçiq mban kontroll të plotë mbi të gjitha proceset, përfshirë edhe çështjen e Kosovës. Interesi i Serbisë do të ishte të pranojë realitetin në terren dhe të ndërtojë marrëdhënie normale me shqiptarët, por për këtë mungon vullneti politik”, thekson Martinov.

Qeveria e re e Serbisë është formuar në kulmin e protestave masive qytetare. Analistët vlerësojnë se detyra kryesore e kryeministrit Macut është të sigurojë një periudhë qetësie për pushtetin, pa ndryshime të vërteta në drejtimin politik të vendit.

Kabineti i ri shihet si vazhdimësi e përqendrimit të pushtetit në duart e presidentit dhe si instrument për forcimin e kontrollit mbi universitetet, mediat dhe institucionet publike.