Dita Ndërkombëtare për t’i dhënë fund mosndëshkimit për krime kundër gazetarëve e gjen Kosovën me një numër të ulët të rasteve që janë ndëshkuar për sulme dhe kërcënime ndaj gazetarëve, shkruan arbresh.info.
Në Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës nga Janari i këtij viti e deri më sot janë paraqitur 12 raste. Dy raste janë sulme fizike, një rast shkatërrim i pronës dhe të tjerat janë kërcënime.
“Sipas regjistrit të AGK-së, që nga Janari e deri më sot, i kemi 12 raste të paraqitura tek ne. Por, përfshirë edhe regjistrin e policisë së Kosovës, këtij numri i shtohen edhe 6 raste tjera. Në përgjithësi, janë 2 sulme fizike, 1 rast shkatërrim prone dhe të tjerat janë kërcënime, ku disa janë kërcënime me jetë”, ka thënë për arbresh.info Petrit Çollaku, hulumtues në AGK.
Për një vit gati, vetëm një person është në paraburgim, ndërsa për shtatë të tjerë janë ngritur kallëzime penale.
“Në një rast sulmi fizik, i dyshuari është në paraburgim ndërsa për sulmin tjetër fizik, rasti është ende nën hetime. Sipas policisë së Kosovës, shtatë kallëzime penale janë ngritur ndërsa rastet tjera janë ende nën hetime”, thotë Çollaku.
Ai ka thënë se sistemi i drejtësisë në Kosovë duhet të jetë më efikas sa i përket trajtimit të rasteve të kërcënimeve dhe sulmeve ndaj gazetarëve.
“Sistemi i drejtësisë në Kosovë duhet të ndërmerr masa më të mëdha për të treguar efikasitet në trajtimin e rasteve të kërcënimeve dhe sulmeve ndaj gazetarëve. Këto raste nuk duhet të mbesin pa u trajtuar për një kohë të gjatë dhe të gjithë të dyshuarit për këto raste duhen të përballen me drejtësinë”, tha ai.
Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në vitin 2013, ka shpallur datën 2 nëntor si “Dita Ndërkombëtare për t’i dhënë fund mosndëshkimit për krimet kundër gazetarëve”.
Në raportin bazë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO), thuhet se në dekadën e kaluar 700 gazetarë janë vrarë gjatë raportimit të lajmeve. Në nëntë nga dhjetë rastet, vrasësit kanë mbetur të pandëshkuar.
Në raport po ashtu thuhet se “mosndëshkimi çon në më shumë vrasje dhe shpesh është një simptomë e një sistemi të rrënuar të rendit e ligjit”./arbresh.info/
178-vjetori i gazetës së parë shqiptare
“Kthim i viktimës në dhunues” – Serwer i ashpër ndaj Gjykatë...
”Rezoluta për ish-krerët e UÇK-së s’u hartua nga PDK” – Hamz...
Tërmet në Bosnje e Hercegovinë
“Lem bre rahat”, Klodi nuk e lë rehat Elijonën ndërsa ajo pë...
Dhuna pas vdekjes së `El Mencho`-s, Meksika mobilizon 9.500 ...