Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj iu ka kërkuar debat publik atyre që po e quajnë të dëmshme marrëveshjen për zonën afër Manastirit të Deçanit.
Mirëpo kjo marrëveshje ende po mbahet sekret si dokument, pavarësisht jehonës që i dha kryeministri, Avdullah Hoti.
Ndonëse u mendua që problemi shumë vjeçar mes Komunës së Deçanit dhe Manastirit të Deçanit për lejimin e ndërtimit të rrugës që lidh Kosovën me Plavën u zgjidh pas nënshkrimit të marrëveshje, një grup i historianëve të Deçanit po e cilësojnë si marrëveshje të dëmshme për banorët.
Ata po e kritikojnë kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hotin se përmes kësaj marrëveshje ka bërë vetëm implementimin e një memorandumi gjerman të vitit 2016.
“Kryeministri Hoti nuk ka marr guximin ta publikoj këtë marrëveshje. Ne bazë të asaj që shkruhet thuhet se janë marrë vesh për rehabilitim të rrugëve që nuk nënkupton shtrim të rrugëve. Po ashtu Deçanit po i shtohet edhe një bypass. Kjo është implementim i një memorandumi gjerman të vitit 2016, i cili thekson se komuna duhet të tërhiqet nga pronësia dhe t’i kalojnë manastirit”, ka thënë Shkodran Imeri, kryetar i Lidhjes së Historianëve të Deçanit.
E këto deklarata, kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj duke folur për portalin arbresh.info ka thënë se i sheh si deklarata të pamatura dhe të paqëndrueshme.
Sipas tij, marrëveshjen nuk mund ta bënë publike Komuna e Deçanit por Këshilli për zbatim dhe monitorim të zonës së veçantë.
“Për me publiku marrëveshjen duhet të behet nga Këshilli për zbatim dhe monitorim të zonës së veçantë nuk është në të drejtë të kryetarit të komunës. Këtë të drejtë e ka vetëm këshilli”, tha ai.
I pyetur se a e posedon në sirtarin e tij këtë marrëveshje, Ramosaj ka thënë se po e ka parë marrëveshjen dhe është i kënaqur sepse sipas tij ka zgjidhur një kontest 20 vjeçare
“Kjo marrëveshje nuk është e dëmshme për qytetarët e Deçanit. Reagimi i tyre është i pamatur. I kam ftuar edhe në debat të hapur të gjitha palët që dojnë me mare të vërtetën dhe zgjidhjen përfundimtare”, thotë ai.
Në bazë të marrëveshjes, do të ndërtohen tri rrugë në atë zonë. E para është pjesa para Manastirit të Deçanit ku përmes saj do të kalojnë vetëm automjetet e lehta ( me të vogla se 3.5 tonë), rruga e dytë është rruga prapa Manastirit apo siç njihet nga deçanasit rruga e Gushafcit përmes së cilës do të kalojnë veturat, autobusët, kamionët e traktorët që shërbejnë për nevojat e banorëve dhe rruga e tretë është një “Bypass” që do të shërbej për transport ndërkombëtar.
Para se të arrihej kjo marrëveshje, Igumeni i manastirit të Deçanit, Sava Janjiq, ka deklaruar se mbështet zhvillimin ekonomik të Komunës së Deçanit, mirëpo sipas tij, ndalimin e rrugëve në zona të tilla e ndalon edhe ligji për Zonat e Veçanta të Mbrojtura, i cili është miratuar nga Parlamenti i Kosovës.
“Në vitin 2014 (dy mijë e katërmbëdhjetë), Qeveria e Kosovës vendosi të bëjë një rrugë nga Deçan për në Mal të Zi e cila kalon përreth Zonës, duke ndjekur pjesërisht luginën e Loçanit, për tu lidhur me rrugën përgjatë lumit Lumbardh të Deçanit, në fund të Zonës Mbrojtëse”, kishte deklaruar ai.
E nga ajo pak çka është bërë publike nga marrëveshja duket se nuk ka ndonjë ndryshim nga këto fjalë të Sava Janjiqit.
Edhe pse Kryeministri i Kosovës u krenua dhe e quajti historike, marrëveshja duket se u bë sipas kushteve të Manastirit të Deçanit.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Hoti ka bërë me dije se marrëveshja është arritur me mbështetjen e Ambasadorit të Italisë, Nicola Orlando, e të Komandantit të KFOR-it, Gjeneral Michele Risi.
“Kjo marrëveshje është rezultat i diskutimeve disa mujore, por konstruktive dhe frytdhënëse, midis Komunës së Deçanit dhe përfaqësuesve të Kishës Ortodokse në Manastirin e Deçanit”, ka shkruar Hoti duke mos dhënë më shumë detaje lidhur me marrëveshjen.
Më rrugën Deçan-Plavë aktualisht janë duke vazhduar punimet për ndërtimin e kësaj rruge që lidh dy shtetet. Po ashtu punimet kanë filluar edhe në zonën që ka qenë problem deri para arritjes së marrëveshjes./M.Avdimetaj/arbresh.info/
Rritjet e sheqerit pas ushqimit: A është uthulla e mollës nj...
Britania nuk i jep leje SHBA-ve për përdorimin e bazave usht...
Miell i skaduar prej prillit të kaluar, AKU e bllokon pas si...
Ekstradohen nga Gjermania në Kosovë, dy të kërkuar me letër ...
Parashikimi i motit për të premten
Drita e pafat, mposhtet në frymën e fundit nga Celje