Kelmendi kishte detyrë t’i gjente personat që do të vrisnin Delaliqin!

08:39 | 20 Mars 2015
Arbresh.info

Pauza të shpeshta ka kërkuar të mërkurën dëshmitarja Sheila Turkoviq. Një prej tyre e ka imponuar pa paralajmërim, kur ka shpërthyer në vaj, derisa po tregonte para trupit gjykues të Gjykatës Themelore të Prishtinës për një bisedë telefonike që pretendonte se e kishte pasur me të akuzuarin, Naser Kelmendi, shkruan sot Koha Ditore.

Turkoviq ka thënë se ishte përpjekur ta bindte Kelmendin se nuk do të tregonte se ai, me Fahrudin Radonçiqin, kishin organizuar vrasjen e Ramiz Delaliqit në qershor të vitit 2007. Dëshmitarja e prokurorisë, për të tretën ditë rresh, ka vazhduar dëshminë kundër Kelmendit i akuzuar për vrasje të rëndë, krim të organizuar dhe trafikim ndërkombëtar të drogës. Ajo e ka akuzuar rëndë Kelmendin, i cili ishte dëshmitar kundër burrit të saj, Zijad Turkoviq, i dënuar më 40 vjet burgim për pesë vrasje dhe vrasjen në tentativë të Naser Kelmendit.

Sheila Turkoviq e ka prezantuar veten si gazetaren më të famshme dhe më të mirë në Bosnjë-Hercegovinë. Gjatë dëshmisë ka thënë se ka marrë pjesë në 20 takime, ku ishte diskutuar vrasja e Ramiz Delaliqit. Ajo nuk kishte shkruar për këtë “planifikim”, dhe as nuk i kishte njoftuar autoritetet e rendit me të cilat pretendon se kishte raporte shumë të afërta./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale